Transmetuar më 28-03-2018, 13:18

E premtuar nga shumë qeveri, më në fund në mandatin e dytë qeverisës nga Kryeministri Edi Rama, është miratuar kontrata për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u miratua kontrata “Për Përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”, e firmosur në shkurt mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe një kompanie private.

Në një dëgjesë publike me qytetarët e Dibrës në nëntor të vitit 2017, Kryeministri Edi Rama dha disa detaje rreth ndërtimit të Rrugës së Arbrit.

Edi Rama tha se marrëveshja e re me kompaninë fituese, konsiston në ndërtimin e 40 kilometrave, dhe me një kosto financiare gati sa gjysma e asaj që ishte parashikuar më herët.

"Qytetarët e Klosit dhe Burrelit, të cilët për të shkuar në Tiranë sot duhet të përshkojnë afro 90 km, do të kenë një mundësi të re për të arritur në Tiranë me gjysmën e kohës dhe distancës. Nga ana tjetër, rruga ka një përmirësim në projekt, sa i përket lartësive, urave, dhe bëhet me gjysmën e kostos së parashikuar në atë idenë e vjetër që ishte një marrëzi”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se me nisjen e punimeve nuk do të ketë ndërprerje deri në përfundimin e plotë të projektit.

“Zotimi ynë që kjo rrugë do ndërtohet brenda këtij mandati, është e garantuar”, tha kreu i qeverisë përpara qytetarëve dibranë. /a.y/noa.al