Transmetuar më 26-03-2018, 22:23
Publicitet

Nga Andi Bushati

Një gjest solidariteti i qeverisë shqiptare me aleatët e saj perendimorë, për të përzënë nga vendi diplomatët rusë të akredituar në Tiranë, nuk mund të shërbejë kurësesi si një armë në luftën e brendëshme politike. Sot Ministiria e Jashtme i ka komunikuar amabasadorit rus, Aleksandër Karpushin, shpalljen si të padëshërueshëm, të dy prej vartësve të tij, që sipas Tiranës zyrtare e tejkalonin petkun e statusit të tyre (lexo shkrimet poshte/Lapsi.al).

Natyrisht që kushdo që ndjek lajmet botërore është i bindur se ky nuk është një vendim sovran i shtetit shqiptar. Eshtë gjithashtu i ndërgjegjshëm se SHISH-I ynë dhe organet tona të sigurisë nuk zbuluan sot spiunë rusë në Tiranë. Të gjithë janë të qartë se ky është vendimi i një shteti vasal që vepron në sinkron me të mëdhenjtë e NATO-s dhe të BE.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti se qeveria shqiptare i zbuloi “dy të padëshëruarit” në kuadrin e një spastrimi të madh, të denjë për luftën e ftohtë. Që kur ish agjenti i dyfishtë rus, Sergueï Skripal, u gjend i helmuar së bashku me bijën e tij, në Britaninë e Madhe, perëndimi ka filluar një fushatë të paparë kundër Moskës. Deri më sot ShBA ka dëbuar 60 diplomatë rusë, Kanadaja e ka bërë këtë me katër të tillë dhe pas nuk kanë mbetur as Franca, Italia dhe Gjermania.

Madje, si gjithnjë të zellshme, janë treguar edhe vendet ballitike (Lituani, Estoni, Letoni) dhe ato që i kanë përkitur dikur ish traktatit të Varshavës, si Polonia dhe Çekia.

Pra, më shumë sesa është nisur nga një analizë faktike, qeveria shqiptare është bërë pjesë e një aksioni poropogandistik që e reshton atë në njërën atë të barikadës, së një lufte të re të ftohtë.

Deri diku, kjo përkatësi nuk përbën problem për shumicën e shqiptarëve.

Pjesës më të madhe të popullsisë të këtij vendi, nuk i intresojnë dilemat gjeo -strategjike, fakti se perëndimi e prishi marëveshjen Bush – Gorbaçov për të mos e shpënë Aleancën Atlantike në kufijtë e dikurshëm të Bashkimit Sovjetik, as hegjemonia amerikane në botën një polare, as mosrespektimi i Këshillit të Sigurimit në luftrat unilaterale dhe aq më pak grabitja që shumëkomëbshet e mbështetura nga oligarkët i bënë pasurive të dikurshme të mbretërisë komuniste.

Me mendjelehtësinë e popullit të vogël, ashtu siç bënim dikur be për Traktatin e Varshavës, ne jemi të gatshëm të luajmë rolin e vendit heroik që mbron vlerat e NATO-s.

Por të paktën, ne duhet të tregohemi sy çelët që këtë konflikt të ri gjeo – politik, të mos na e shndërrojnë në një instrument të luftës së brendëshme.

Sepse pikërisht këtë po bën Edi Rama. i këshilluar mirë nga lobistët e tij ndërkombëtarë, që me sa duket renditen në ato nivele që kanë informacione për ngjarjet përpara se ato të ndodhin, kryeministri ynë, po përpiqet me të gjitha bateritë e propagandës së tij, t’a transferojë betejën lindje – perëndim në politikën e brendëshme të vendit.

Kështu ne përjetuam për disa javë me radhë zhurmën e rokopujshme se opozita vendase ishte financuar nga Kremlini për të penguar integrimin perendimor të Shqipërisë. Megjithëse për këtë fabul qesharake nuk kishte asnjë provë,  vetë Rama dhe karikaturat e tij i ranë fort daulleve të këtij rreziku.

Pa marrë parasysh frikën e të qenit qesharakë, ata i frynë këtyre borive dhe kur nisën aksionin e shkatërrimit të LSI-së në bazën e saj. Ishte sa e trishtë aq edhe komike të shikoje disa burra koktrashë e të dhjamosur që e kishin të shkruar në ballë se ishin futur në politkë për të mëkuar obezitetin e tyre, të deklaronin se po largoheshin nga opozita se nuk duronin dot lidhjen e saj me rusët.

Po t’i shtosh këtyre edhe episodet kur kryeministri i justifikon krizat e brendëshme me implikimin e elementëve anti perendimorë, apo kur kërcënon BE se armiqtë e saj janë të gatshëm të marrin rol në Ballkan, bëhet e qartë se Edi Rama po mundohet t’i ngrejë velat e barkës së tij të batuar, në drejtimin e erërave anti ruse që po fryjnë në botën perendimore. 

Por, këtu së paku duhet të jemi të qartë. Dy “agjentët rusë” që u kërkuan të dëbohen sot nga Tirana, nuk janë një provë për pretendimet e kryeministrit shqiptar.  Zbulimi i “veprimtarisë së tyre agjenturore” nuk ka asnjë lidhje të përbashkët me fabulën anti Kremlin që po mban prej kohesh ngritur Edi Rama. Dëbimi i tyre është një provë solidariteti ndaj aleancës ku është rrshtuar Shqipëria dhe aspak një fakt më shumë për kulisat putinjane që po luhen këtu. Çdo përpjekje për ta servirur si të tillë, jo vetëm që është një mashtrim i madh, por është edhe tentativa e fundit e një rregjimi të kleptokrat dhe oligarkik, për t’u njësuar përkrah vlerave sipërfaqësore të perëndimit.  ©Lapsi.al

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al