Transmetuar më 26-03-2018, 19:40

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriç do të deportohet në Serbi.

Ai u arrestua në Mitrovicën Veriore pasi kishte hyrë në Kosovë pa marrë leje.

Forcat Policore e kanë transportuar në Prishtinë, Gjuriçin ku u vendos deportimi në Serbi.

Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për mediat ka njoftuar rreth arrestimit të Marko Gjuriç.

 “Policia e Kosovës përmes rrugëve operative ka siguruar informacione se z.Marko Gjuriç dhe persona të tjerë, janë parë të jenë prezent në lokacionin ku kishin planifikuar të mbanin një takim me përfaqësues dhe qytetarë të veriut të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

“Me qëllim të verifikimin e informacionit dhe zbatimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS), i cila ka ndaluar vizitën në Kosovë të disa zyrtarëve serbë duke përfshirë z.Vulin dhe z.Gjuriç, ka angazhuar njësi relevante policore për të vepruar në atë lokacion.

Njësitet kompetente policore gjatë hyrjes në atë lokacion me qëllim të verifikimit të informacionit të siguruar dhe për të zbatuar vendimin zyrtar të autoriteteve të shtetit, gjatë hyrjes kanë hasur në pengesa dhe rezistencë të disa personave që gjendeshin në atë lokacion”, njofton policia.

“Edhe përkundër pengesave dhe rezistencës së shfaqur njësitet policore duke përdorur mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme policore, kanë arritur ta verifikojnë informacionin dhe njëherit ta arrestojnë z.Gjuriç i cili ishte prezent në atë lokacion”, thuhet në njoftim./a.m./noa.al/