Transmetuar më 24-03-2018, 17:44

Policia e Shtetit dhe Prokuroria po kryejnë veprime të shumta hetimore lidhur me grupin e grabitësve që hapën zjarr ndaj policisë në Fier, ku për pasojë u vra njëri dhe u plagos një tjetër prej tyre.

Nga të dhënat paraprake, këta persona janë të dyshuar për dhjetëra grabitje në rrethe të ndryshme të vendit, aq sa policia i quan ata tashmë “shëtitësit”.

Ata kanë kryer shumë goditje pa u pikasur më parë nga policia, por rasti i fundit u doli huq, pasi përfundoi në tragjedi për njërin prej tyre, 20-vjeçarin Xhuljan Sollaku.

Ndërkohë grabitësi tjetër Arben Muça mbeti i plagosur. Sipas hetuesve ata ishin një grup i sofisikuar dhe të pamëshirshëm për të hapur zjarr ndaj personave që i kundërshtonin, siç ndodhi që hapën zjarr edhe ndaj policisë.

NOA mësoi se 33-vjeçari Arben Muça i cili ndodhet në spital nën ruajtjen e policisë, mësohet se nuk ka dhënë informacione deri tani për veprimtarinë e grupit.

Policia po kryen veprime për të zbuluar bashkëpunëtorin e tyre nga Fieri por jo vetëm. “Shëtitësit” kanë bashkëpunëtorë në shumë qytete. Aktualsiht janë vënë në sitë disa grabitje të dhunshme në zona të ndryshme./a.m./noa.al/