Transmetuar më 24-03-2018, 11:16

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në vijim të vizitës në SHBA ka zhvilluar një takim me Ndihmës Sekretarin e Shtetit,  James A. Walsh. Xhafaj e falënderoi për mbështetjen që SHBA ka dhënë për reformën në drejtësi, përmes Ambasadës amerikane në Tiranë dhe programit OPDAT të asistencës.

“Konstatoj me kënaqësi se investimi juaj për këtë reformë ishte me një vlerë të veçantë. Ndërkohë që kjo reformë ka filluar tashmë të japë rezultatet e para në kuadrin e procesit të Vetting-ut, sfidë mbetet krijimi i organeve të reja të parashikuara nga kjo reformë”, tha Xhafaj.

Në këtë kuadër, ai theksoi se është shumë e domosdoshme që mbështetja dhe asistenca e SHBA të vazhdojë të jetë prezente, veçanërisht përgjatë kësaj faze delikate të procesit.

Në vijim, Xhafaj e njohu bashkëbiseduesin me vizionin e tij në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke u ndalur në rolin e rëndësishëm të Policisë në mirëfunksionimin e trekëndëshit: Polici- Prokurori- Gjykatë.

Ai e njohu zotin Walsh me punën e nisur në funksion të reformimit të hetimit në Policinë e Shtetit, Planin e Veprimit të miratuar nga qeveria për operacionin “Forca e Ligjit”, Vetting-un në Polici, luftën kundër kultivimit të kanabisit, Policimin në Komunitet, prioritete madhore këto për Ministrinë e Brendshme.

Një sfidë tjetër, në të cilën u ndal ministri, ishte ajo që ka të bëjë me luftën kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Më tej, ai u ndal në rezultatet e para të operacionit “Forca e Ligjit” si dhe nevojën për asistencë më të kualifikuar për Task Forcën Speciale, ngritur për këtë qëllim.

Në këtë kontekst, ministri Xhafaj kërkoi që asistenca amerikane në vijim të zgjerohet dhe njëherësh të orientohet edhe më mirë drejt realizimit të prioriteteve të mësipërme.

Nga ana e tij Z.Walsh vlerësoi shumë pozitivisht progresin e bërë në procesin e reformave në Shqipëri, angazhimin e fortë të qeverisë aktuale duke theksuar se “angazhimi i SHBA nuk ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të jetë intensiv edhe në të ardhmen”.

“Reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, strategjitë e prezantuara, partneriteti me agjencitë ligj zbatuese amerikane, janë shumë të rëndësishme për ne”, u shpreh ai. SHBA do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e reja të ngritura në kuadër të reformës në drejtësi.

Ai mbështeti vizionin e ministrit Xhafaj lidhur me reformimin e drejtësisë penale, duke shtuar se në këtë proces, duhet të përfshihet edhe sistemi i burgjeve.

“Ju keni një strategji dhe qasje të shkëlqyer sa i takon luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, integritetit të Policisë dhe Policimit në Komunitet”, u shpreh zoti Walsh./b.l/noa.al/