Transmetuar më 23-03-2018, 17:31

Kombëtarja kuqezi do të zbresë në fushën e “Elbasan Arenës” më 26 mars për sfidën miqësore me Norvegjinë.

Në një konferencë për mediat, mbrojtësi i kombëtares Mërgim Mavraj ka krahasuar trajnerët De Biasi dhe Panucci. 31-vjeçari tha se mosha bën të vetën dhe se trajneri aktual i kombëtares është pak më energjik.

“Mosha bën të vetën, Panucci është disi më energjik se De Biasi dhe ndryshon nga ai. Mbrojtja me asnjë nga trajnerët nuk ka qenë problem kështu që besoj se do të vazhdojmë të bëjmë paraqitje të mira në këtë repart”, tha Mavraj.

Mavraj i cili do të mbajë edhe shiritin e kapitenit në krah në miqësoren ndaj Norvegjisë, ka folur edhe për ndryshimin e modulit të lojës. 

“Në futboll rëndësi kanë vetëm rezultatet dhe jo mënyra sesi luan skuadra. Është e vërtetë që tashmë jemi më të prirur drejt sulmit, por edhe De Biasi ka meritat që kombëtarja është në këtë nivel që ndodhet sot”shtoi më tej mbrojtësi./b.l/noa.al/