Transmetuar më 23-03-2018, 13:48

Christian Panucci po zbaton me rigorozitet mësimet rreth disiplinës, të marra nga koha kur luante te Roma dhe Reali i Madridit, por edhe si asistent në stolin e Rusisë.

Dera ku po qëndrojnë futbollistët e kombëtares nuk hapet për asnjë arsye. Askush që nuk është pjesë e stafit të kombëtares dhe hotelit, nuk lejohet të hyjë. Madje as familjarët që vetëm mbrëmjen e së premtes do të kenë mundësi të takojnë të dashurit e tyre.

Resorti ruhet 24 orë në 24 nga shërbimi privat i sigurisë, ndërsa edhe lojtarët e kanë kategorikisht të ndaluar të dalin. Ndër rregullat e forta të vendosura nga Panucci, i ndaluar është edhe qëndrimi në kafe.

Maksimumi 15 minuta kohë për të frekuentuar barin nga ata që e kanë të nevojshme, më pas të gjithë nëpër dhoma. Mjaft strikte edhe kërkesat për oraret. E gjithë skuadra konsumon vaktet në orarin e përcaktuar.

Të gjithë lojtarët ulen në një tavolinë të përbashkët, për të forcuar frymën e grupit dhe sipas supersport, gjatë ngrënies ndalohet kategorikisht përdorimi i telefonave celularë, ndërsa stafi teknik ushqehet vetëm pasi ka mbaruar skuadra.

Tejet strikte edhe oraret në stërvitje. Të jesh në kohë, për Panuccin do të thotë që lojtari të zbresë në fushë të paktën 15 minuta përpara orarit të përcaktuar. Gjatë seancave nuk lejohen shpërqendrime.

Asnjë përshëndetje për ata pak persona që vëzhgojnë stërvitjen, madje lojtarëve nuk u lejohet as të qeshin. Përqendrim dhe profesionalizëm maksimal. Në këtë mënyrë ‘Rreshteri i hekurt’, Panucci synon të drejtojë armatën kuqezi drejt të tjera sukseseve, duke nisur nga Liga e Kombeve, për të vijuar me Europianin e vitit 2020./b.l/noa.al/