Transmetuar më 21-03-2018, 15:30

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur përjashtimin e deputetëve që hodhën gaz lotsjellës në seancë. U mor vendimi për përjashtimin e deputetëve Xhelal Sfeçla, Fitore Pacolli, Drita Millaku, Salih Zyba e Liburn Aliu.

Ndërsa Prokurori kujdestar i Prokurorisë të Prishtinës ka dhënë urdhër për deputetët që akuzohen se kanë hedhur gaz lotsjellës gjatë seancës për demarkacionin. Nëse ata nuk lënë sallën e Kuvendit, është lajmëruar se do të ndërhyjë policia për t’i nxjerrë me forcë.

Gjatë seancës së sotme plenare, deputetët e Vetëvendosjes kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, sapo është hedhur në votim amendamenti i projektligjit. 

Presidenti Hashim Thaçi pas hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, reagoi përmes një statusi në Facebook, ku u shpreh se dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe pamje e tmerrshme për Kosovën në botë. 

Thaçi tha se demarkacioni duhet të kalojë sot, pasi kjo është ajo që presin qytetarët e vendit, pa dallim partie apo etnie.

“I ftoj deputetët që të vazhdojnë me punën e tyre, pavarësisht taktikave të rrezikshme të kundërshtarëve të liberalizimit të vizave. Demarkacioni duhet të kaloj sot.  Votimi i demarkacionit nënkupton lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mjaft i kemi humbur tre vjet me kauza të rrejshme, që po e mbajnë Kosovën dhe qytetarët të izoluar. Tani është momenti i së vërtetës dhe i veprimit. 

Vendimi i deputetëve pro ratifikimit të marrëveshjes është vullneti i qytetarëve që duan t’i përqafojnë vlerat evropiane. Mos lejoni që të sfidoheni nga askush, sidomos jo nga ata që duan ta mbajnë Kosovën larg vlerave evropiane dhe të izoluar”, ka shkruar Thaçi./b.l/noa.al/