Transmetuar më 21-03-2018, 13:05

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se efektet e shkatërrimit ekonomik që Edi Rama i ka sjellë vendit janë të dukshme dhe nuk fshihen më.

Në një dalje për mediat nga selia blu ditën e sotme, Basha tha se misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka dhënë një mesazh të qartë se gjendja ekonomike e Shqipërisë do të përkeqësohet dhe më keq.

“Mbarimi i TAP-it dhe Devollit, do e thajnë ekonominë nga investimet e huaja pasi kjo qeveri nuk ka siguruar investime të reja. FMN i bie alarmit se borxhi ka shënuar rritje të madhe. Borxhi real është 82% të prodhimit vendas. Ky nivel borxhi është i rrezikshëm për ekonominë shqiptare dhe do e çojë vendin drejt krizës financiare. Detyrimi i papaguar i qeverisë është 270 milionë dollarë”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se FMN ka ngritur shqetësimin e madh se paratë e shqiptarëve po shpenzohen për investime të kota, pa leverdi për shqiptarët dhe pa asnjë vlerë në ekonomi.

Në këtë linjë nënvizoi se rilindja urbane ka qenë një shpërdorim i madh i parave të shqiptarëve, ndaj FMN bën thirrje që të vendosen prioritetet të qarta se ku do investohen paratë.

Po ashtu Basha tha se reformat në sektorin e energjisë janë dështim dhe qindra milionë dollarë janë shpërdoruar dhe se OSHEEE është një ndërmarrje e korruptuar që vjedh me tendera paratë e shqiptarëve.

“FMN jep alarmin për Partneritetet Publike Private, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të PPP-ve dhe të ndryshojë rrënjësisht vendimmarrja për PPP”, deklaroi Basha.

Sipas tij PPP, kanë vetëm një qëllim, vjedhjen e parave të shqiptarëve për klientët e Edi Ramës.

Ndër të tjera tha se i gjithë projekti 1 miliardë është një projekt mashtrues, në shërbim të Edi Ramës dhe një grusht klientësh rreth tij.

Por Basha nënvizoi se Edi Ram nuk e dëgjon FMN, pasi kjo është mënyra për të mbushur xhepat e tij dhe klientëve dhe për të pastruar paratë e krimit dhe drogës. /a.y/noa.al