Transmetuar më 21-03-2018, 13:04

Brenda javës së ardhshme një përfaqësi e minatorëve do të takohet me kryeministrin Edi Rama për ti parashtruar kërkesat e tyre. Lajmin e bëri me dije kreu i sindikatës së minatorëve Fiqiri Xibri, pas takimit që pati në kryeministri.

Pas takimit prej 30 minutash, Xibri tha se është mundësuar paraprakisht vetëm takimi me kryeministrin gjatë javës së ardhshme.

“Takimi brenda në kryeministri ishte as mish as peshk. Qëllimi i protestës u arrit, ramë dakord që brenda javës së ardhshme do të kemi takim me kryeministrin për ti diskutuar gjërat konktretisht. Do kemi një përfaqësi tonën në takim. Do të bëjmë të qarta kërkesat tona. Është gjë e mirë që më në fund vetë kryeministri do të ballafaqohet me kërkesat tona dhe gjykoj se do të japë dhe urdhrat e domosdoshëm për shqyrtimin e tyre dhe të konkludojmë në hartimin sa më të shpejtë të një statusi. Për sot u arrit ajo që kërkonim por kjo nuk do të thotë se jemi të gëzuar. Të gëzuar do të jemi vetëm pasi të kemi diskutuar konkretisht”, u shpreh Xibri.

Sindikata e Minatorëve akuzon qeverinë se nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për realizimin e statusit të minatorit, të cilin e rrëzoi me votë në seancën parlamentare të 2 shkurtit.

Mazhoranca rrëzoi projektligjin e propozuar nga deputeti Përparim Spahiu me pretendimin se ai binte në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk parashikonte kostot ndërkohë një tjetër draft është duke u përgatitur në lidhje me statusin e minatorit këtë herë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë./b.l/noa.al/