Transmetuar më 20-03-2018, 22:38

Duhet të shpallet apo jo gjendja e emergjencës në Shkodër për shkak të përmbytjeve, kjo ishte pyetja që solli një përplasje të fortë mes kryetares së bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi dhe kreut të Emergjencave Civile Shemsi Prençi.

Gjatë një lidhje direkte në emisionin ‘Studio e Hapur’, Ademi tha se ka kërkuar që para dy javësh që të shpallet gjendja e emergjencës.

“Turp që Shemsi Prenci thotë se situata është paralajmëruar dhe masat u morën me vonesë nga bashkia. Unë në datë 5 i kam dërguar shkresën e parë prefektit duke paralajmëruar një situatë të tillë që duhet të paralajmërohej nga Prenci dhe është e pafalshme që  jemi në situatën që ende nuk e dimë se çfarë do ndodhte të nesërmen.

Ne kemi kërkuar informacion për të lajmëruar njerëzit. Kam kërkuar shpalljen e emergjencës së pjesshme prej 2 javësh. Ka një papërgjegjshmëri nga Prenci dhe faktorët e tjerë nga pushteti qendror. Kam kërkuar që prej 2 javësh të nisë evakuimi i banorëve. Nuk ka përplasje politike mes bashkisë dhe qeverisë për situatën e përmbytjeve. Duhet të marrë përgjegjësinë çdo institucion”- tha Ademi.

Ademi tha ndër të tjera se situata është menaxhuar vetëm në nivel lokal dhe se deri në orën 6 të pasdites së sotme janë  5 mijë hektarë toke dhe territore nën ujë.

“Situata është menaxhuar nga niveli lokal. Kryeministri, ministrat e linjës duhet të ishin në terren të vlerësonin situatën për të menaxhuar situatën. Qeveria nuk ka dhënë asnjë investim për gjënë e gjallë. Ne tani jemi në situatën ekstrem. Shkaku themelor janë shkarkimet e tejskajshme. Ne kemi kërkuar të dimë nga punonjësit e hidrocentraleve,  por atyre nuk u është lejuar edhe telefoni që të mbajnë nga frika se na japin informacione ne. Deri në orën 6 pasdite ne kemi rreth 5 mijë hektarë toke dhe territore nën ujë, me mbi dy metra ujë”- tha Ademi.

Ndërsa Prençi tha se 15 fshatra në Shkodër janë përmbytur, duke shtuar faktin se situata sa vjen e përkeqësohet pasi niveli i lumenjve të Drinit dhe Bunës është i madh.

Mes të tjerash ai i bëri apel banorëve të këtyre zonave që jetojnë në shtëpi 1 katëshe, që të evakuohen./m.sh/noa.al/