Transmetuar më 20-03-2018, 18:34

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se ka referuar në prokurori materialin e mbledhur gatë procesit të rivlerësimit për Besnik Imerajn, ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Edhe pse procesi ndaj tij u ndërpre pasi ai u dorëhoq nga sistemi, mësohet se Komisioni i Kualifikimit ka siguruar disa materiale komprometuese rreth pasurisë të cilat i ka dorëzuar në prokurori siç njoftoi sot.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar vetë Imeraj, i cili e ka cilësuar sulm me motive politike.

Ai madje ka akuzuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë kryeministrin Rama. 

“Kjo që po ndodh nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Që kur Edi Rama dhe qeveria bëjnë kontrollin e gjyqtarëve, çdo gjë është e qartë. Unë jam në rregull dhe nuk kam asnjë problem me ligjin dhe Kushtetutën. Kjo e gjitha është e motivuar politikisht”, u shpreh Besnik Imeraj.

Besnik Imeraj dha dorëheqjen me 31 Janar duke e argumentuar motivin me arsye personale. /a.m./noa.al/