Transmetuar më 20-03-2018, 16:47
Publicitet

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zonjës Anita Tuladhar, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 7-20 mars 2018, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit (MPP). Procesi i MPP-së zhvillohet për ato vende anëtare që kanë një nivel të konsiderueshëm kredie të FMN-së ende për t’u shlyer pas përfundimit të programeve dhe ka fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet.

“Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon. Mjedisi makroekonomik dhe politik është i qëndrueshëm. Politikë-bërësit do të duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë të mirë për të çuar më tej reformat për zbutjen e risqeve që lindin nga borxhi i lartë publik dhe detyrimet e kushtëzuara dhe nga kreditë nën standard në sektorin financiar; dhe për ta fuqizuar potencialin e rritjes afatmesme kundrejt një klime të vështirë për investimet me nivel të lartë informaliteti dhe sundim të dobët të shtetit ligjor.

Prioritetet kyçe janë: çuarja përpara e konsolidimit fiskal; rritja e efikasitetit të shpenzimeve të investimeve publike; fuqizimi i kuadrit institucional për mbikëqyrjen bankare dhe zgjidhjen e kredive nën standard; dhe heqja e pengesave në mjedisin e biznesit/investimeve nëpërmjet reformave në gjyqësor dhe kundër korrupsionit. Këto përpjekje do ta hapin ekonominë edhe ndaj mundësive të reja për rritje, do ta ndihmojnë Shqipërinë t’i afrohet më shumë integrimit në BE dhe do të siguronin standarde më të larta jetese për popullin shqiptar”, thuhet në deklaratën e FMN.

Rimëkëmbja ekonomike po përshpejtohet

Shqipëria po gëzon një prej rritjeve më të shpejta ekonomike në rajon, ndërsa norma e rritjes ekonomike çmohet se do të arrijë 3,9 për qind në 2017 dhe 3,7 për qind në 2018. Kushtet e financimit janë tejet të  favorshme, ndërkohë që norma e inflacionit dhe normat e interesit vijojnë të jenë shumë të ulëta. Po përshpejtohet rritja e investimeve dhe besimi vijon të jetë i lartë. Eksportet po rriten, të mbështetura nga rimëkëmbja e fortë ekonomike e partnerëve tregtarë nga BE-ja. Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë (BSH) janë të mjaftueshme (mbi 6 muaj mbulim importesh) ndërsa flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte (IHD) vijojnë me një ritëm të qëndrueshëm. Megjithëse rimëkëmbja ende nuk mbështetet nga kreditimi, sektori bankar është i qëndrueshëm, likuid dhe rentabël. Parashikimi për rritjen ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitiv, me kusht që të përshpejtohet ritmi i reformave, për ta rritur besimin dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për investime të reja dhe rritje.

Risqet vijojnë të mbeten në horizont

Ndërkohë, ky ritëm i rritjes ekonomike mund të mos zgjasë shumë. Rritja në BE ka ritme përshpejtuese që prej vitit 2016. Por rimëkëmbja e rritjes ekonomike është përgjithësisht ciklike dhe parashikimi afatmesëm mbetet i ulët për shkak të problemeve të pazgjidhura që ka lënë pas kriza, të rritjes së dobët të produktivitetit dhe të faktorëve frenues demografikë. Ka edhe risqe globale nga një korrigjim i beftë i tregjeve financiare, pasigurive politike dhe politikave proteksioniste të cilat mund ta ulin besimin dhe rritjen ekonomike. Ngadalësimi do ta prekte negativisht Shqipërinë nëpërmjet kanaleve të tregtisë, investimeve dhe sektorit bankar.

Risqet e brendshme ndaj rritjes në periudhën afatmesme janë po ashtu të rëndësishme. Rënia graduale e investimeve të mëdha në infrastrukturën e sektorit energjetik pritet ta ngadalësojë ritmin e rritjes. Me një nivel borxhi publik mjaft të lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe detyrimet të kushtëzuara në rritje, mosrealizimet fiskale mund ta ulnin besimin, t’i rrisnin primet e riskut të huamarrjes dhe t’i pakësonin investimet private. Sistemi bankar edhe kështu është i rënduar me kredi të mëdha nën standard dhe me vështirësi në ekzekutimin e kolateralit. Një shitje më e shpejtë e aktiveve nga bankat me pronësi evropiane në Shqipëri mund të çonte në stres të sektorit financiar. Kushtet e këqija të motit mund ta cenonin sërish prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar kështu risqe thuajse fiskale dhe pengesa për rritjen ekonomike. Progresi i pamjaftueshëm në zbatimin e reformës strukturore në fusha të tilla si energjetika, menaxhimi financiar publik dhe reformat në gjyqësor mund ta cenonin besimin e investitorëve, duke i zvogëluar ndjeshëm flukset hyrëse nga donatorët dhe flukset e kapitalit dhe duke e ulur rritjen.

Tani është momenti i përshtatshëm për t’i përshpejtuar reformat për t’i zbutur këto risqe dhe për të krijuar mburoja ndaj tronditjeve të padëshirueshme në të ardhmen

Nevojitet një konsolidim më i shpejtë fiskal për të krijuar amortizatorë. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të borxhit publik (71,2 për qind e PBB-së në fund të vitit 2017, përfshirë edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe lokale prej 1,8 për qind të PBB-së), tronditje të tilla negative si ngadalësimi i rritjes i ndërthurur me prime më të larta risku të interesave dhe zhvlerësim të kursit të këmbimit, apo materializimi i detyrimeve të kushtëzuara, mund të kishin ndikim negativ të borxhi dhe te qëndrueshmëria e jashtme, çka do të kërkonte një korrigjim të fortë fiskal.

Një objektiv më ambicioz për defiçitin fiskal në përputhje me një përpjekje fiskale shtesë prej rreth 1 për qind të PBB-së në dy vjet, në krahasim me një defiçit konstant të qeverisjes së përgjithshme prej 2 për qind të PBB-së në buxhet do të ndihmonte në arritjen më shpejt të uljes së borxhit për të krijuar hapësirë shtesë për manovrim në rast se realizohen këto tronditje negative. Në këtë aspekt, fuqizimi i të ardhurave përbën prioritet kyç, jo vetëm për t’i ulur defiçitet, por edhe për të krijuar hapësira për më shumë shpenzime në infrastrukturë dhe në arsim.

Nevojiten korniza më të forta për menaxhimin e buxhetit dhe të investimeve publike, në mënyrë që të zbuten risqet fiskale dhe të ketë sa më pak çuarje dëm të burimeve të pakta.

• Investimet publike dhe partneritetet publike private (PPP). Me rritjen e nivelit të investimeve publike, autoritet do të duhet t’u japin zgjidhje mangësive në menaxhimin e projekteve, përfshirë edhe në njësitë e qeverisjes vendore dhe në ndërmarrjet shtetërore (NSH). Nevojitet vendosja e prioriteteve mes projekteve, përfshirë PPP-të, brenda tavanit të investimeve publike, që do të duhej të financoheshin si duhet në kuadrin buxhetor afatmesëm. Sa u takon PPP-ve, një prioritet kyç është pakësimi i vendimmarrjeve të fragmentuara dhe fuqizimi i proceseve të vlerësimit të riskut brenda Ministrisë së Financave. Këto procese janë me rëndësi kritike, po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve me një horizont kohor afatgjatë. Praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eleminohet. Plani i qeverisë për krijimin e një banke zhvillimi për të financuar investimet publike është mirë të marrë parasysh përvojën ndërkombëtare sa u takon risqeve që shoqërojnë subjekte të tilla, përfshirë risqet fiskale, financiare dhe të drejtimit të brendshëm.

• Mbajtja në kontroll e detyrimeve të prapambetura. Një zbatim më i fortë i masave kontrolluese të angazhimeve buxhetore është shumë i rëndësishëm për parandalimin e akumulimit të detyrimeve të prapambetura. Angazhimet e pambuluara me fonde në buxhetin afatmesëm dhe vonesat në rimbursimin e TVSH-së kanë sjellë akumulimin e detyrimeve të reja të prapambetura prej rreth 0,9 për qind të PBB-së në 2017 (prej të cilave 0,7 për qind rimbursim TVSH-je), që duhet të zgjidhet me shpejtësi.

• Ndërmarrjet shtetërore: Reformat rigjallëruese në sektorin shtetëror të energjisë elektrike për t’i vënë shoqëritë në baza të qëndrueshme financiare kanë rëndësi kritike. Autoritetet do të duhej t’i jepnin zgjidhje akumulimit të detyrimeve të prapambetura dhe humbjeve dhe të përmirësonin efikasitetin operativ, përfshirë edhe nëpërmjet një drejtimi të brendshëm më të mirë të shoqërive, nëpërmjet reformave institucionale dhe të tregut dhe investimeve të orientuara më mirë.

Përmirësime të mëtejshme në menaxhimin e borxhit mund të ndihmojnë në zvogëlimin e risqeve të rifinancimit të borxhit. Nevojat bruto për financim të Shqipërisë, në rreth 21 për qind të PBB-së, mbeten të larta. Planet e autoriteteve për të mbështetur zhvillimin e tregut dytësor për obligacionet pesëvjeçare të qeverisë do të ndihmonin në uljen e këtij risku. Emetimet e eurobondit do të duhej të synonin shlyerjen e borxhit në valutë të huaj duke qëndruar vigjilent ndaj riskut që paraqet mbështetja e tepruar te huamarrja me kushte jo të buta në valutë të huaj. Kapacitet e menaxhimit të borxhit në Ministrinë e Financave janë të pamjaftueshme dhe duhen forcuar më tej. Nevojitet një bashkërendim i ngushtë midis MF-së, BSH-së dhe tregjeve, po të kemi parasysh ekspozimin e lartë të bankave ndaj sektorit publik.

Trajtimi i kuadrit për zgjidhjen e kredive nën standard përbën faktor kyç për rimëkëmbjen e kreditimit. Niveli i kredive nën standard (13,2 për qind e kredive në fund të vitit 2017) ka rënë për shkak të fshirjes nga bilancet dhe përpjekjeve për ristrukturim të tyre. Megjithatë, mbeten ende pa përfunduar reformat e rëndësishme për përshpejtimin e ekzekutimit të kolateralit, përfshirë edhe tarifën e suksesit për përmbaruesit dhe rregullorja për marrëveshjet jashtë gjykatës, duke i shtyrë bankat të mos marrin risk. Autoritetet do të duhej të mbeteshin vigjilente ndaj risqeve të mundshme të lidhura me ekspozimet e mëdha të shoqërive dhe rritjen në sektorin e ndërtimit. Strategjia për deeuroizimin, e prezantuar kohët e fundit, do të ndihmonte uljen e risqeve të tërthorta të kreditimit nga ekspozime të konsiderueshme në monedhë të huaj të cilat nuk janë të mbuluara. Kjo strategji do të duhej të vihej në zbatim gradualisht për t’i zbutur risqet e mospërdorimit të ndërmjetësve financiarë.

Përmirësimi i mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar, në përputhje me standardet e BE-së, do t’i vinte në dispozicion BSH-së mjetet për t’i menaxhuar më mirë risqet e bankave me rëndësi sistemike dhe të krijonte amortizues të kapitalit. Konsolidimi i tanishëm i bankave, me shitjen e aktiveve nga bankat me pronësi evropiane, sjell risqe sa i takon drejtimit të brendshëm të tyre. Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar. Monitorimi strikt i bankave me rëndësi sistemike do të duhet të fuqizohet më tej, për ta kufizuar riskun e huamarrësve të mëdhenj dhe për ta zbutur riskun e huadhënies mes palëve të lidhura. BSH duhet të vijojë ta harmonizojë kuadrin e saj rregullator dhe mbikëqyrës me BE-në dhe të konvergojë progresivisht drejt zbatimit të Basel 3. Në sektorin jobankar, ka rëndësi kritike që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ta plotësojë kuadrin për menaxhimin e krizave për fondet e investimeve, në bashkërendim me BSHnë dhe MF-në.

Nevojitet një rritje më e shpejtë për ta rritur standardin e jetesës dhe për ta ulur varfërinë, çka kërkon reforma institucionale themelore.

Për të thithur më shumë investime dhe për të arritur konvergjencë më të shpejtë, Shqipëria duhet t’u japë zgjidhje shumë pengesave strukturore. Paqartësitë mbi të drejtat e pronës dhe një gjyqësor i korruptuar dhe jo efikas evidentohen shpesh si pengesa kryesore për thithjen e investimeve. Aftësinë konkurruese e dëmtojnë më tej mungesat e infrastrukturës lidhëse, informaliteti i lartë, vështirësia për të marrë financim dhe kapitali i dobët njerëzor. Trajtimi i këtyre sfidave merr edhe më shumë rëndësi përballë ngadalësimit të rritjes së investimeve dhe produktivitetit në Shqipëri dhe në mbarë Evropën pas krizës financiare botërore.

Këto sfida ndaj rritjes ekonomike përkeqësohen nga niveli i lartë i emigrimit nga Shqipëria. Tani është momenti për të zbatuar reformat për përmirësimin e klimës së investimeve, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të rritur mundësitë për punësim.

Si përfundim, zbutja e risqeve dhe zbatimi i programit të reformave strukturore do të hedhë themelin për një rritje të qëndrueshme si edhe do të hapë rrugën drejt integrimit në BE. Ekipi i FMN-së falënderon autoritetet dhe palët e tjera për bashkëpunimin, për diskutimet e hapura dhe konstruktive dhe për mikpritjen e ngrohtë.