Transmetuar më 20-03-2018, 14:31

I arrestuari për vrasjen e kushëririt të tij me sëpatë, ka dalë ditën e sotme para Gjykatës së Vlorës, për t’u njohur me masën e sigurisë.

“Arrest me burg” u vendos ndaj 40-vjeçarit Dilaver Veshaj, i cili do të qëndrojë në qeli, në vijim të hetimeve për krimin e ndodhur këtë të shtunë.

Ngjarja u shënua në fshatin Gumenicë të Selenicës, Vlorë, ku u gjet i pajetë rreth 500 metër larg banesës së tij Arben Veshaj, 37 vjeç.

Nga hetimet e policisë është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe kapja në kohë të shpejtë e autorit të dyshuar, Dilaver Veshaj, 40 vjeç, banues në fshatin Gumenicë.

Nga veprimet hetimore paraprake dyshohet se dy kushërinjtë janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta.

Më pas Dilaver Veshaj e ka goditur disa herë në kokë me sëpatë 37-vjeçarin, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen.

Ditën e ngjarjes viktima po nxirrte bagëtitë në stan, kur ka kaluar pranë stanit të kushëririt Dilaver, ku qentë e këtij të fundit i janë sulur.

Por Arbeni teksa shoqërohej nga djali 7-vjeçar i ka qëlluar qentë me gurë, dhe brenda pak çastesh ka dalë nga stani 40-vjeçari.

Ai ka qëlluar fillimisht me pistoletë, por pasi plumbat nuk e kanë zënë Arbenin, e ka goditur disa herë me sëpatë, duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithë skena është parë nga djali i mitur i Arbenit, i cili ka ulëritur duke lajmëruar të afërmit për çfarë kishte ndodhur.

Dyshohet se gjithçka ka ndodhur pas debateve që dy kushërinjtë kanë pasur me njeri tjetrin për motive pronësie, lidhur me një vijë uji që kalonte pranë staneve të tyre. /a.y/noa.al

Vrau kushëririn me sëpatë, pamjet e arrestimit të të dyshuarit

Horror në Selenicë, kushëriri vret me sëpatë kushëririn