Transmetuar më 20-03-2018, 11:50

Presidenti Ilir Meta ndan bindjen se ka realizuar një bashkëpunim të dobishëm me Ministrin Bushati sa i takon çështjes së negociatave me Greqinë.

Duke folur për mediat, një ditë pasi i dha autorizimin kryediplomatit shqiptar për nisjen e negociatave me shtetin helen, Meta u shpreh: “Besoj se tashmë kemi realizuar një bashkëpunim mjaft konstruktiv dhe të dobishëm, për të pasur një proces solid e kushtetues, por edhe tekniko ligjore për negociatat sa më të suksesshem. 

Unë besoj se është bërë një punë mjaft e konsiderueshme dhe jemi në një proces solid nga pikëpamja kushtetuese”.

Meta eshte pyetur edhe per emrin e negociatorit të ri të shtuar në palën shqiptare, atë të Ksenofon Krisafit.

“Ka qenë një propozim shumë pozitiv dhe mjaft i mirëpritur nga ana ime, pasi është një personalitet me mjaft eksperiencë në drejtësinë ndërkombëtare”, tha Meta.

Ksenofon Kristafi ka qenë ish- drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Juridike e Konsullore. Sakaq nga Presidenca mësohet se në grupin negociator do të mbetet edhe Artur Meçollari përkundër akuzave dhe pretendimeve të opozitës se ka qenë “spiun”./b.l/noa.al/