Transmetuar më 20-03-2018, 07:58

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pretendon se e bën opozitën më mirë se bashkëshorti i saj Ilir Meta, aktualisht President.

Ajo thotë se Meta gjithmonë ka bërë oponencë, edhe kur ka qenë në koalicion në qeverisje me të majtët.

E ftuar këtë të hënë në emisionin “Real Story” në Vizion+, Kryemadhi deklaroi se, “Ne na ka detyruar Ilir Meta për të votuar reformën në drejtësi, sepse ajo reformë ka shumë probleme”.

Sipas saj, LSI është parti opozitare dhe e ngjashme e Partinë Demokratike kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

“Unë nuk drejtoj axhendën e Lulzim Bashës dhe as ai axhendën time. Unë asnjëherë nuk bie dakord me Edi Ramën”, tha kryetarja e LSI-së.

Ajo ka bërë një deklaratë të fortë edhe për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke thënë se Rama donte ta bënte ambasador.

“Ndoshta e keni dëgjuar që Rama i kishte premtuar Adriatik Llallës që do ta bënte ambasador. Ishin ndërkombëtarët ata që nuk e lejuan kur e mësuan këtë. Nuk është thënë publikisht? Ndoshta ndërkombëtarët dinin diçka më shumë dhe e ndaluan”, deklaroi Kryemadhi. /a.y/noa.al