Transmetuar më 19-03-2018, 19:04

Merr fund pritja për marrjen e plotfuqishmërisë nga ana e Presidentit Ilir Meta për negociatat shqiptaro – greke.

Pasditen e sotme Meta i dha autorizimin ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati për nisjen e ngociatave.

Zyra për shtyp e kreut të Shtetit njofton se në mbështetje të Kushtetutës dhe në vijim të kërkesës së bërë nga ministri Bushati, kreu i Shtetit jep plotfuqinë për grupin negociator.

"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në mbështetje të nenit 92 gërma “ë”, nenit 116, nenit 121 pika 1, nenit 132 të Kushtetutës; Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; Nenit 6 pika 3, shkronja “a” të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”, njofton Presidenca.

 Ndër të tjera theksohet se Presidenti i Republikës, u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë./m.sh/noa.al/