Transmetuar më 19-03-2018, 14:42

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në kuadër të politikave të saj për punësim transparent dhe në bazë të meritës të punonjësve të shëndetësisë, shpall sot listat e infermierëve, fizioterapistëve dhe teknikëve të imazherisë me vlerësimin paraprak të plotësimit të kritereve ligjore dhe njëkohësisht të pikëve të marra nga dosja sipas mesatares, vjetërsisë në punë, diplomave master e gjuhë e huaj.

Në një deklaratë për media, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi se, pas fazës së parë të shpalljes se listës paraprake të kandidatëve të interesuar,  ju dha kohë 2354 aplikantëve për të plotësuar dokumentacionin.

Janë 1945 kandidate që do të testohen për 416 vende të lira pune në profesionet infermierë, teknik imazherie, fizioterapistë.

Më konkretisht: 1376 infermierë, 300 mami, 59 fizioterapistë, 98 teknikë imazherie,

107 teknike laboratori dhe 5 logopedistë.

Lista e plotë dhe e detajuar është publikuar në portalin: www.infermierepershqiperine.al

ku çdo i interesuar mund të marrë informacion për renditjen dhe pozicionin e tij në listë.

http://infermierepershqiperine.al/njoftim/

Kandidatët dhe të gjithë të interesuarit kanë 5 ditë kohë për ankimim për pikët duke filluar që sot dhe pas pesë ditëve për shqyrtimin e ankesave.

Më datë 29 mars do të jetë lista me renditjen përfundimtare të kandidateve që do të futen në testim.

Pas kësaj do të zhvillohet testimi me shkrim i cili për shkak të numrave është menduar të zhvillohet në katër qarqe, përkatësisht në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.

Në Tiranë, konkursi do të zhvillohet më datë 31 Mars, në orën 14.00 në ambientet e universitetit mjekësor Tiranë.

Për kandidatët e qarqeve Vlorë, Fier dhe Gjirokastër, testimi do të kryhet në Vlorë më datë 2 Prill në ambientet e universitetit Ismail Qemali në orën 14.00.

Për kandidatët e qarqeve Shkodër, Dibër, Lezhë, Kukës dhe Durrës, testimi do të zhvillohet më datë 3 Prill në ambientet e universitetit Luigj Gurakuqi në orën 14.00.

Për kandidatët e qarqeve Elbasan, Korçë dhe Berat, testimi do të zhvillohet në ambientet e universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan në datë 4 Prill, në orën 14.00. /a.y/noa.al