Transmetuar më 19-03-2018, 09:47

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot për një ditë të mbarë gjithë ndjekësit e tij në rrjetet sociale me një tjetër shembull të integrimit të punës së atyre që dalin nga skema e ndihmës ekonomike.

“Mirëmëngjesi dhe me fjalët e thjeshta të Fluturës që doli nga ndihma ekonomike dhe nisi punë pas shumë vitesh në pritje të 35 mijë lekëve të vjetra çdo fund muaji, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Në video dëgjohet Flutura Braka, e cila tregon se merrte ndihmë ekonomike prej 35 mijë lekë të vjetra. Por ajo shton se zyra e punës i gjeti një vend pune në një fabrikë hudhrash, ku paguhet 250 mijë lekë të vjetra në muaj.

Gruaja duket e kënaqur, duke shtuar se punë pa lodhje nuk ka, por pohon se ndihma ekonomike, nuk i dilte për asgjë dhe detyrohej të merrte para borxh.

“Merrja ndihmë ekonomike 35 mijë lekë. Nuk më dilnin për asgjë, as për drita, as për gjë dhe merrja borxh. Në zyrën e punës e gjetëm punën. Telefonuan burrin dhe i thanë: Nesër nusja të fillojë punë". S’kam problem te puna, është shumë e lehtë, është me figuracione dhe e kemi pagesën 250  mijë lekë në muaj”, shprehet Flutura. /b.l/noa.al/