Vasili: Inceneratorët dënohen në Francë se shkaktojnë kancer, te ne prokuroria mbyll sytë
Transmetuar më 18-03-2018, 14:22

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili thotë se inceneratorët në Francë dënohen në gjykatën penale pasi shkaktojnë kancer, ndërsa në Shqipëri prokuroria mbyll sytë. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ai thotë se mbeturinat e inceneratorëve është provuar shkencërisht se shkaktojnë kancer.

“Inceneratorët dënohen në gjykatën penale te Parisit se shkaktojnë kancer, prokuroria mbyll sytë në Shqipëri. Mbeturinat e inceneratorëve është provuar shkencërisht që shkaktojnë kancer të përhapur të gjëndrave limfatike dhe të tjerë. Ky ka qenë edhe shkaku se pse Europa ka bërë kufizimin drastik të tyre”, shkruan Vasili.

Më tej ai thekson se megjithëse Europa ka mundësi kontrolli dhe monitorimi shumë të rrepta që s’kanë asnjë krahasim me kontrollin e korruptuar dhe jo profesional në Shqipëri, kufizimi i tyre ka qenë drastik sepse rreziku i shkaktimit të kancerit është shumë i lartë.

“Gjykata Penale e Parisit dënoi më 6 mars për herë të parë në Francë, bashkimin e kompanive Melunit për shkak të ndotjes ambientale të shkaktuar nga inceneratori i përpunimit të mbetjeve. Gjykata arsyetoi se inceneratori i përpunimit të mbetjeve shtëpiake i ndërtuar në Vaux Le Penil për “vënie në rrezik të jetës” për shkak të shkarkimeve toksike të dioksinave.

Në pesëmbëdhjetë vjet procedurë, rreth 165 banorë ngritën padi civile së bashku me fshatin Maincy, i cili rrethohej nga erërat mbizotëruese të objektit. Sipas paditësve, një duzinë banorësh kanë vdekur nga kanceri në vitet e fundit, duke përfshirë edhe “Lymphomën jo-Hodgkin”, e cila zhvillohet nga qelizat e sistemit limfatik, dhe një tjetër duzinë janë duke vuajtur po nga kanceri.

Po në Shqipëri kush ja mbyll sytë prokurorisë që ta hetojë, pse nuk vepron apo mijëra shqiptarë le të sëmuren e vdesin me kancer vetëm aferat e qeverisë të mos hetohen. Kjo është kriminale dhe antihumane”, përfundon Vasili./b.l/noa.al/