Transmetuar më 18-03-2018, 14:08

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të Pallatit të Sportit "Dhimitraq Goga" në Durrës.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se nuk e priste këtë surprizë dhe infrastrukturë dinjitoze të pallatit të ri të sportit, duke theksuar se do t’i hapet rruga ligjit për sponsorimzimet në sport dhe kulturë.

“Me thënë të drejtën nuk e prisja këtë surprizë, sepse nuk mendoja që do gjeja këtu në këtë vend një infrastrukturë kaq dinjitoze, një pallat sporti në kuptimin e plotë të fjalës.

Më thanë që ka dhe një sallë tjetër për stërvitje, po kaq të bukur, kështu që i takon ideatorit dhe financuesit të idesë, Iglit, një shprehje mirënjohjeje dhe respekti për këtë investim fantastik, që shpresoj shumë të frymëzojë edhe të tjerë, për të shtrirë këtë infrastrukturë në vende të tjera, pasi është e vërtetë që në Durrës ka pasur basketboll, por s’ka pasur vetëm në Durrës, ka pasur edhe në Shkodër, edhe në Vlorë, në Tiranë po e po”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër Rama deklaroi se shpreson që zëvendësministri i Sportit, një basketbollist shumë i njohur, Kostandin Shkurti, do jetë në lartësinë e detyrimit tonë për t’i mbështetur këto nisma dhe sëbashku me komunitetin e basketbollit, dhe sipas tij jo vetëm, t’i hapin rrugë edhe një ligji bashkëkohor për sponsorizohet, në mënyrë që sponsorizimi në sport e në kulturë të stimulohet dhe të jetë një rrugë për të krijuar më shumë mbështetje financiare për sportin, veçanërisht për sportet e tjera.

“Duke parë angazhimin e madh të shumë figurave të njohura të sportit, sidomos në komunitetin e basketbollit, është vërtetë një mundësia e madhe që përmes gjetes së rrugëve për të stimuluar financiarisht këtë aktivitet, ne të tërheqim shumë më tepër fëmijë drejt këtij sporti.

E vërteta është që sot ka një numër mbresëlënës fëmijësh që janë të regjistruar në rrjetin e shoqatave dhe të iniciativave të ndryshme, falë edhe pjesëmarrjes së këtyre figurave. Ky është një shembull i jashtëzakonshëm qytetarie dhe njëkohësisht kontributi për pasionin dhe për shoqërinë”, tha Rama./b.l/noa.al/