Transmetuar më 18-03-2018, 12:48

Tetë muaj më parë, si pasojë e zjarreve që prekën vendin gjatë stinës së verës, në Krrabë u dogjën një sasi pemësh, të cilat janë zëvendësuar këtë fundjavë nga zjarrfikësit e Tiranës. 

Duke iu bashkuar nismës për mbjelljen e pemëve, 117 efektivët e shërbimit zjarrfikës mbollën 117 rrënjë ulliri, duke e çuar në 650 numrin e pemëve të mbjella në këtë zonë. Zjarrfikësve iu bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Më vjen mirë që 117 zjarrfikësit e Tiranës po mbjellin 117 pemë në një zonë si Krraba, e cila u shkretua gjatë zjarreve të verës. Fakti që zjarrfikësit kthehen jo vetëm për të shuar zjarrin, por edhe për të rimbjellë aty ku zjarri bëri dëm, është besoj fabula më e bukur e këtij qyteti: Ne rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë.

Në Krrabë, në total kemi mbjellë rreth 650 pemë, por jemi afër rekordit të 100 mijë pemëve. Çdo qytetar i  Tiranës që ka parë këtë energji magjike në qytet gjatë këtyre muajve, ka edhe pak ditë kohë, deri në 21 mars”, tha Veliaj. 

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi nismën e efektivëve, të cilët janë të parët që ndihmojnë sa herë që qytetarët kërkojnë ndihmë. “Zjarrfikësit e Tiranës, siç janë të parët që sa herë ka rrezik, një nevojë, përmbytje, zjarre, bllokime dyersh, aksidente, janë të parët edhe në këtë nevojë të qytetit për oksigjen. 

Një zjarrfikës e di fare mirë ç’do të thotë mungesë e oksigjenit sepse përballen me situata të vështira. Ndaj, ashtu si një zjarrfikës në momentin e vështirë kërkon oksigjen që të vazhdojë të bëjë punën, ashtu një qytet ka nevojë për oksigjen që të vazhdojë jetën”, u shpreh ai. 

Veliaj siguroi se aksioni për të shtuar sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet do të vijojë edhe përtej datës 21 mars, ditë kur bashkia do të zhvillojë një aksion të gjerë për të kurorëzuar mbjelljen e 100 mijë pemëve. /b.l/noa.al/