Transmetuar më 18-03-2018, 09:49

Një vajzë adoleshente nga Egjipti ka gjetur vdekjen gjatë të mërkurës pasi u sulmua nga një grup studentesh në Nottingham, Angli tre javë më parë, ndërkohë që Egjipti e ka cilësuar sulmin si racist.

Viktima është identifikuar si Miriam Moustafa, 18 vjeçe, dhe para se ajo të vdiste si pasojë e plagëve të marra, policia kishte arrestuar fillimisht një 17 vjeçare, por pas disa ditësh e kishte lënë të lirë.

Motra e studentes së vrarë ka treguar se çfarë i kishte thënë Miriam për sulmin para se të binte në koma. Ajo rrëfen se kishte parë disa nga njerëzit e përfshirë duke "qeshur" me faktin se ajo po luftonte me vdekjen.

"Ne menduam se në Angli na priste e ardhmja jonë, donim të bëheshim inxhiniere, prandaj babai na solli këtu. Por nuk menduam se Anglia ishte e tillë. Ato vajza duhet të turpërohen nga vetja. Nuk mund ta imagjinoj dikë aq miqësor, të qetë dhe të gëzuar, të vritet në këtë mënyrë", shprehet e motra e Miriamit.

Babai i saj, Mohamed Moustafa sot kërkoi drejtësi për vajzën e tij pasi autoritetet egjiptiane kërkuan përgjigje nga Britania.

"Unë dua drejtësinë për vajzën time, jo vetëm për vajzën time, por me shpresën që kjo nuk do të ndodh me një vajzë tjetër apo një djalë tjetër. Vajza ime ishte si një engjëll. Ajo do të bënte gjithçka për këdo, një vajzë shumë e mirë. E gjithë familja ime, djali im, vajza ime, të gjithë kanë qarë pas asaj që ndodhi. Nuk është e drejtë”, u shpreh babai i 18 vjeçares.

Duke folur për atë që Mariam i tha atij pas sulmit, z. Moustafa shtoi se: "Ajo ishte shumë e mërzitur sepse nuk e dinte pse ato e kishin bërë një veprim të tillë, sepse ajo nuk i njihte fare këta njerëz. Ajo më tha se ato erdhën tek ajo dhe i thanë “Black Rose” dhe ajo tha emri im është Mariam, pas kësaj ato filluan ta godasin atë”.

Sot nëna e saj Nessrin Shehata ndau fotografinë e fundit të vajzës së saj para vdekjes. “Kjo është fotografia e fundit e vajzës sime të bukur. Ajo duket kaq e lumtur”, tha ajo për MailOnline./b.l/noa.al/