Transmetuar më 18-03-2018, 00:31

Një nga reperët më të dashur shqiptarë, Ledri Vula, ishte i ftuari surprizë i puntatës së pestë të programit “Dua të të bëj të lumtur” në “Top Channel”. Ishte Debora, vajza e Xheraldinës, ajo që kishte kërkuar ndihmën e tij për t’i dhënë mesazhin nënës së saj dhe ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim më parë, Ledri shfaqi anën e tij shumë emocionale në program.

Ledri është një ndër artistët që i ka qëndruar më pranë Rebekës, duke u përfshirë në fushatën sensibilizuese për të mbledhur të ardhura për kurimin e saj.

Gjatë momentit që po bisedonte me Xheraldinën, Ledri shpërtheu në lot kur tregoi se gjatë xhirimit të klipit “Beautiful” në bashkëpunim me Flori Mumajesin, e kishin kujtuar shpesh herë Rebekën dhe luftën e saj e madje kishin lotuar edhe gjatë regjistrimeve.

Ndër të tjera, Ledri u shpreh se: “Nëna është shtylla e familjes dhe nëse nëna bie, krejt bien”. Madje ai i premtoi publikisht Xheraldinës që do ta ndihmonte të ndryshonte jetën duke i gjetur një punë.

Kjo ishte hera e parë që e shihnim reperin më të pëlqyer të të rinjve duke qarë, por më e rëndësishmja, përmes “Dua të të bëj të lumtur” zbuluam se Ledri Vula ka edhe një zemër shumë të madhe.