Vetëm pak ditë ndajnë nga larg 21 Marsi, Dita Botërore e Pyjeve, kur qytetarët e Tiranës pritet t’i bashkohen aksionit për mbjelljen e më shumë se 100 mijë pemëve në kryeqytet.. Edhe një tjetër kompani iu bashkua nismës, duke mbjellë 1000 pemë selvi përgjatë segmentit lindor të Unazës së Madhe.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu falënderimet për pemët e dhuruara dhe tha se kjo është mënyra më e mirë se si kompanitë private mund të shprehin përgjegjësinë e tyre sociale ndaj qytetit.
Ai deklaroi se falë kontributit të shumë bizneseve, institucioneve shtetërore dhe qytetarëve për të dhuruar pemë, sot jemi shumë afër objektivit së 100 mijë pemëve.
“Sapo kemi kaluar 95 mijë pemë të mbjella dhe jemi shumë afër qëllimit tonë kryesor, që në datën 21 Mars jo vetëm të kapim 100 mijëshen, por edhe ta kalojmë atë shifër. Me miq si të mirë besoj do t’ia arrijmë dhe do dalim faqebardhë në këtë nismë. Në fund të ditës, kjo është gjurma që lë secili prej nesh”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku ftoi të gjithë ata qytetarë apo biznese që të shfrytëzojnë ditët e mbetura për t’u bërë pjesë e këtij aksioni, që do t’i japë qytetit më shumë gjelbërim dhe ajër të pastër në vitet e ardhshme.
“Kjo fushatë e gjelbërimit të Tiranës, ku secili në çdo segment ka lënë gjurmën e vet, është diçka që do na bëjë të ndihemi krenarë edhe kur të mos jemi më duke bërë këto punë. Kështu që, ju falenderoj me gjithë zemër dhe ju jam shumë mirënjohës”, deklaroi Veliaj. /a.y/noa.al