Transmetuar më 16-03-2018, 17:40

Është edhe një fëmijë me emrin Donald Trump në Afganistan. Është 18 muajsh dhe ëndërron që një ditë të takojë Presidentin amerikan, ndonëse është bërë i famshëm pa e ditur.

Kjo për shkak të zgjedhjes së babait të tij, Asadullah Poya, që të thyejë traditën duke i vendosur djalit një emër jo mysliman.

Babai e shpjegoi këtë zgjedhje me bindjen se emrin Donald Trump, mund t’i sjellë fat të birit. Një emër i frymëzuar edhe nga ngjyra e flokëve, gështenjë e çelët.

Por këtij emri i kanë dalë kundër jo vetëm të afërmit, por edhe banorët e zonës rurale ku jeton familja në Kabul, jo për shkak të emrit si të tillë, por prej zgjedhjes për t’i vendosur fëmijës një emër perëndimor.

Motra më e madhe e tij quhet Fatima, ndërsa vëllai Karim. Ka nga ata që e akuzojnë babanë se e ka quajtur kështu të birin, për të përfituar nga ndonjë lehtësi dhe për tu larguar nga vendi, shkruan noa.al.

Por Poya pretendon se nuk është kështu, duke e cilësuar si një zgjedhje për ti sjellë fat. Megjithatë ai shprehet se nëse kur të rritet djali do të dojë të ndryshojë emrin, është i lirë që ta bëjë.

Por deri më tani vogëlushi mjaftohet duke parë në televizor dhe telefon, Donald Trump-in e vërtetë. /a.y/noa.al