Transmetuar më 16-03-2018, 11:11

Katari ankohet në Këshillin e Sigurimit për përsëritjen e shkeljes së hapësirës së tij ajrore nga aviacioni ushtarak i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Misioni i Përhershëm i Katarit në OKB adresoi dy shkresa Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe Presidentit të Këshillit të Sigurimit Karel van Oosterom rreth shkeljes së hapësirës ajrore të Katarit më 4 Mars.

Sipas ankesës, më datë 4 të këtij muaji, një avion transporti ushtarak i UAE (Emirateve të Bashkuara Arabe) model “CN 35” që vinte nga Abu Dhabi depërtoi në hapësirën ajrore të Katarit.

Ankesa konsideroi se një akt i tillë përbën një shkelje të rëndë dhe flagrante të ligjit ndërkombëtar, dhe shtoi se përsëritja e shkeljeve të sovranitetit të Katarit nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe përpjekjet e kësaj të fundit për të shkaktuar incidente do të kenë pasoja të rënda mbi sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Katari përsëriti thirrjen e tij ndaj Kombeve të Bashkuara që të ndërmarrë hapat e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe rajonale për t’i dhënë fund shkeljeve keqdashëse nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në përfundimin e saj, shkresa thekson se Katari që tashmë e ka provuar se dëshiron të ndjekë politikën e vetëpërmbjatjes kundrejt praktikave të papërgjegjshme dhe provokative nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dënon dhe kundërshton çdo shkelje të sovranitetit të tij dhe rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur çdo agresioni. Katari, vazhdoi shkresa, nuk do të ngurrojë të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, të ruajë kufijtë tokësorë, detarë dhe hapësirën ajrore, si dhe të garantojë sigurinë e tij kombëtare.

Ky incident nuk është i pari që kryhet nga Emiratet e Bashkuara Arabe ndaj hapësirës ajrore të Katarit, pasi shkelje të tilla pretendohet se kanë ndodhur edhe më 3 Janar 2018 dhe më herët edhe më 21 Dhjetor 2017.

Emiratet e Bashkuara Arabe, së bashku me Arabinë Saudite, Bahrejnin dhe Egjiptin, kanë vendosur një bllokadë ndaj Katarit që nga 5 Qershori i 2017-ës.