Transmetuar më 15-03-2018, 14:06

Shqipëria ngjit një shkallë në klasifikimin e FIFA-s për muajin mars, pak ditë para miqësores me Norvegjinë.

Shqipëria renditet aktualisht ne vendin e 58-të, lëvizje që vjen pavarësisht faktit se Kombëtarja Kuqezi nuk ka luajtur asnjë ndeshje gjatë këtij harku kohor, ndërkohë që pritet që një ndikim në renditjen botërore të ketë testi i “Elbasan Arenës” me Norvegjinë.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me përfaqësuesen e Kosovës, që ngjit një shkallë në renditjen e FIFA-s, duke u pozicionuar në vendin e 176-të për muajin mars vetëm pak ditë pas prezantimit të trajnerit të ri Bernard Challandes, që do të debutojë në ndeshjet miqësore të fundmarsit me Madagaskarin dhe Burkina Fason.

Me futbollin e kombëtareve që do të rinisë aktivitetin pikërisht në javët e ardhshme klasifikimi i fundit i FIFA-s reflekton qetësinë e periudhës së pauzës, pasi vetëm 2 ndeshje miqësore të luajtura në mars kanë ndikuar tabelën e këtij muaji, ku mbetet e pandryshuar pesëshja e parë e klasifikimit, me Gjermaninë në vendin e parë, të ndjekur nga Brazili, Portugalia, Argjentina dhe Belgjika.