Transmetuar më 14-03-2018, 14:08

Gjyshërit e tij e kishin marrë në shtëpi, kur ishte ende i vogël. E kishin rritur me dashuri, e kishin ndjekur me studime deri në Universitet, ku dhe e kishin përjashtuar për shkak se përdorte drogë.

Kishte ndryshuar komplet qysh kur kishte nisur përdorimin e lëndëve narkotike, por askush nuk dyshonte se Lovequawn Matthew Shaire Scott, 22 vjeç, ishte në gjendje të shuante familjen e tij.

Ai vrau gjyshin Joseph Manigault, 72 vjeç, gjyshen Rose Manigault, 69 vjeçe dhe tezen e tij Kenya Manigault, 42 vjeçe si dhe kushërirën 15 vjeçe Faith Manigault.

I masakroi me grushte në shtëpinë e tyre në Mount Pleasant, në Karolinën e Jugut, ku policia të shtunën në mëngjes gjeti kufomat e tyre.

Krimi i katërfishtë u zbulua këtë të shtunë, kur një fqinj hyri në garazhin e familjes, duke gjetur dy kufoma. Më tej ndërhyri policia, duke zbuluar edhe dy trupa të pajetë në dhomën e gjumit.

Scott kishte qëndruar në shtëpi dhe aty e gjetën, të plagosur në dorë, ndërsa këpucët dhe veshjet i kishte me gjak, shkruan noa.al

Deri më tani nuk dihen arsyet e këtij krimi tronditës, ndërkohë ndërsa gjykata vendosi që ta lërë në burg në vijim të hetimeve, ai nuk pranoi të flasë. /a.y/noa.al