Transmetuar më 14-03-2018, 09:56

Partizani mori tri pikë me vlera ndaj Luftë tarit dhe pas suksesit në fushën e blertë, beteja e të kuqve u zhvendos në studiot televizive, ku në distancë u krye një debat idesh mes Drejtorit të Përgjithshëm, Olsi Rama, dhe ish-trajnerit Sulejman Starova, i cili u largua nga drejtimi pas barazimit 1-1 në Durrës.

Të hënën, “Bobi” pohoi se ishte ndjerë i ofenduar nga analiza që kishte bërë drejtori Rama në lidhje me largimin e tij nga Partizani. Starova i konsideroi justifikim fjalët e drejtorit Rama, që sipas tij, nuk kishte pse ta ofendonte, pasi ai kishte një pakt me presidentin Gaz Demi.

“Panorama Sport” ka kontaktuar dje me Drejtorin e Përgjithshëm të Partizanit, për të marrë një koment rreth fjalëve të Starovës. Por, Rama nuk preferoi ta zgjaste këtë temë, pasi sipas tij, ai nuk kthen kokën pas, por merret me punë produktive. “Ju falënderoj që po më pyesni, por unë nuk para dëshiroj të shikoj prapa, sepse merrem me punë që janë më produktive dhe punë ka plot për të bërë”, u shpreh drejtori i Partizanit, Olsi Rama.

ÇFARË THA RAMA PËR “BOBIN”

“Starova u rikthye te Partizani për të dhënë stabilitet në një moment të vështirë, duke qenë se e njihte ekipin. Ndeshja me Teutën ishte 2 hapa mbrapa në krahasim me atë që ne kërkojmë. Menduam që ekipi kishte nevojë për një frymë tjetër.

Menduam t’i japim shansin Dalipit, të ndryshojë mënyrën e lojës, sistemin e stërvitjes, etj.”, ka thënë drejtori, duke lënë të kuptohet se Starova e kishte mbaruar ciklin e tij te Partizani. “Starova është një trajner që ka filluar profesionin e tij që në fillim të viteve ’90. Është besnik i ideve të veta. Në këtë moment të kampionatit, ne donim diçka tjetër”, ka shtuar Rama.