Transmetuar më 13-03-2018, 21:04

Policia e Tiranës ka dhënë informacion pas lajmit për zbulimin e krimit në familje një vit pasi një 48-vjeçare humbi jetën në Kamëz. 

Nga Sektori i Hetimit te Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, u finalizua me sukses operacioni "Heshtja e Zgjatur", si rezultat i të cilit u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe ekzekutimi i masave të sigurimit personal "arrest ne burg"  të lëshuara nga Gjykata për Krimet e Rënda për 4 persona. 

U arrestua Marjana Cmeta, 21 vjeç, banuese në Tiranë , për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest ne Burg” për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare. 

Ndërkohë në pranga u vunë edhe Agim Lami (bashkëshorti i viktimës), Arben Saliu (kushëriri i Agimit ) dhe Hysen Shehu pasi kanë qenë në dijeni të ngjarjes se ndodhur dhe autorsisë së saj, dhe nuk kanë kallëzuar pranë organeve kompetente duke fshehur ngjarjen.

Për këta shtetas gjykata ka caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara si dhe provat e administruara nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 30 Prill 2017 , në zonën e Ish -Frutikulturës, Kamëz, ku është gjetur e pajetë në banesën e saj shtetasja Lirije Lami 48 vjeçe, banuese në ish-Frutikulturë, Kamëz.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se autore e dyshuar e vrasjes së kësaj shtetaseje, është Marjana Cmeta, në atë kohë bashkëshortja e djalit të viktimës. 

Shkak i vrasjes dyshohet të jenë mosmarrveshjet e shpeshta mes autores së dyshuar dhe viktimës./a.m./noa.al/