Transmetuar më 13-03-2018, 15:42

Deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri në një deklaratë për mediat sulmoi kryeministrin Edi Rama se ky i fundit kishte pranuar publikisht që ishte takuar me kompani ruse që rezultojnë në listën e zezë të SHBA.

“Edi Rama pranoi drejtpërdrejt në TV mbrëmë, se ai është takuar me kompani ruse në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ai, qëllimisht e anashkaloi emrin e kompanisë dhe detajet”, u shpreh Pampuri.

 Më tej në emër të PD-së, Pampuri pyeti Ramën se kush i solli rusët e Gunvorit në zyrën e tij në Tiranë, ndërsa shtoi se çfarë marrëveshje ka bërë Rama me Erdoganin për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës nga një kompani që ndërton centrale bërthamore me kompani shtetërore ruse.

“Kush i solli rusët e Gunvorit në zyrën e tij në Tiranë? Çfarë u diskutua dhe u ra dakord me ta? A ka Gunvor në Shqipëri një kompani të përbashkët me Besnik Sulajn, mikun e ngushtë të Edi Ramës? Çfarë marrëveshje ka bërë Edi Rama me Erdoganin për ndërtimin e Aeropotit të Vlorës nga një kompani që ndërton centrale bërthamore me kompani shtetërore ruse?”, shtoi ajo.

Gjithashtu sipas deputetes demokrate Edi Rama duhet të përgjigjet edhe se: “Çfarë ka biseduar Damian Gjiknuri në Shën Petërsburg me Robert Nowikoskyn e Jurimexit, një personazh të cilësuar nga Senati Amerikan dhe Bashkimi Europian si person që rrezikon pavarësinë energjitike të Evropës? Çfarë i është premtuar Jurimexit?”.

Pampuri deklaron se të gjitha nyjet e drogës, krimit, pastrimit të parave, ndikimeve të paligjshme përfundojnë tek Edi Rama dhe familja e tij.

“Ky realitet nuk mund të fshihet dot nga sulmet që i bëhen Partisë Demokratike, të paguara me paratë e kokainës dhe të krimit. As vendosmëria e Partisë Demokratike kundër krimit dhe drogës nuk ka për të ndryshuar”, përfundon Pampuri./b.l/noa.al/