Transmetuar më 13-03-2018, 15:32
Publicitet

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, zhvilloi sot një takim me disa nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë.

Pas takimit, z.Xhafaj komentoi bisedimet duke i cilësuar si të frytshme dhe shtoi se ato ishin “tejet konstruktive”.

Z. Xhafaj shtoi se nga diplomatët e huaj ka marrë mbështetje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Jemi të emocionuar dhe të inkurajuar për vlerësimet tejet pozitive, për besimin e shprehur për ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit dhe Task Forcën Speciale”, tha z.Xhafaj.

Ai nënvizoi dhe vendosmërinë e palëve, “për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit”, duke shtuar:

“Jemi në rrugën e duhur dhe të vendosur që të ecim përpara”.

NOA mësoi se në takim janë prezantuar rezultate konkrete në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, si në luftën kundër krimit të organizuar, aksione kundër trafikimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike, menaxhimi i kufijve, policimi në komunitet dhe vettingu në radhët e policisë.

Ky është takimi i dytë brenda tre muajsh mes ministrit të Brendshëm, dhe ambasadorëve të vendeve të BE-së në vendin tonë. /k.k/noa.al/