Transmetuar më 13-03-2018, 13:31

Këngëtarja e famshme e muzikës popullore shqiptare, Maja Aliçkaj, ka qenë e ftuar ditën e sotme në emisionin “Rreze dielli”, ku ka folur për disa prej periudhave më të vështira në jetën e saj.

Një prej tyre padyshim ka qenë ndarja nga jeta e vëllait të saj në dhjetor të vitit që lamë pas, që erdhi pas ndarjes nga jeta të prindërve të Majës. Me lot në sy, këngëtarja kujtoi këtë moment tragjik në jetën e saj.

“Jam tërhequr goxha nga fatkeqsia e fundit, e cila ka ndodhur brenda tre muajsh. Kam qenë prezente vetëm në disa koncerte, por për mua ka qenë shumë e vështirë. Po u rrëzove, duhet të ngrihesh. Ne jemi disa motra dhe kishim vetëm atë vëlla…”, është shprehur e prekur Maja.

Sakaq, ajo kujtoi edhe periudhën kur ka jetuar në Gjermani dhe vështirësitë me të cilat është përballur gjatë jetës si emigrante.

“Shkova për shkollë dhe aty më adoptoi një zonjë në Gjermani, edhe pse isha mbi moshë, mbi 18 vjeçe. Fillova duke punuar, duke pastruar, në fabrikë në teatër etj. 

Puna më e vështirë që kam bërë ka qenë në fabrikë. Ishte punë monotone. Më mirë të jem në mal të mbledh çaj, sesa të bëj një punë monotone. Kam punuar 2 muaj aty”, rrëfeu Maja.