Transmetuar më 13-03-2018, 13:10

Në vijim të procesit të modernizimit, Shërbimi Zjarrfikës i Tiranës është pajisur sot me bazë të re materiale, si uniforma, fikëse zjarri dhe mjete ndihmëse, të cilat do të lehtësojnë punën për menaxhimin e situatave emergjente që mund të shfaqen në të ardhmen.

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve në Repartin e Zjarrfikësve në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të dhënë nga qeveria turke për përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e shërbimit zjarrfikës.

“Pajisjet, mjetet mbrojtëse, mjetet e oksigjenit, të ndriçimit, uniformave anti-zjarr, është realisht çështje jetë a vdekje. Për shokët që na ndihmuan kemi vetëm mirënjohje, ndaj dua t’ju falenderoj në emër të qytetarëve të Tiranës, por edhe të zjarrfikësve të Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se falë përmirësimit të pajisjeve dhe të kushteve të punës, shërbimi zjarrfikës do e ketë shumë herë më të lehtë për të përballuar me sukses stinën e verës për menaxhimin e rasteve të zjarreve.

“Shpresoj që e kemi bërë punën pak më të lehtë falë kësaj ndihme dhe do të thosha që me mjetet e reja do kemi mundësi që, siç përballuam dimrin me sukses, të përballojmë me sukses edhe stinën e verës. Kemi sot bombula oksigjeni, kemi pompa krahu, sidomos për zonat pyjore ku kemi pasur shumicën e zjarreve gjatë stinës së verës”, deklaroi ai, teksa kërkoi prej qytetarëve që të ndihmojnë duke sinjalizuar në kohë çdo rast problematik që mund të shfaqet.

“Nuk kemi mjaftueshëm zjarrfikës që t’i shkojë çdo të moshuari te dera. Do të na duhet një ushtri me 10 mijë zjarrfikës që të trokasin në çdo derë. Kjo do të thotë se na duhet ndihma e publikut. Çdo qytetar që e di që ka një fqinj të sëmurë, që është i pamundur, i braktisur, duhet të ndihmojë. Dhe siç kemi pasur përkrahjen e qytetarëve gjatë këtyre muajve, do të vazhdojmë ta kërkojmë edhe në muajt në vazhdim për t’u siguruar që kemi sot një situatë ku sinjalistika na vjen nga çdo shkallë pallati, nga çdo administrator, dhe nga çdo komshi dhe fqinj i mirë”, nënvizoi Veliaj.

Krahas pajisjeve të reja, Bashkia e Tiranës do të rehabilitojë disa prej stacioneve të shërbimit zjarrfikës në zona të ndryshme të qytetit, me qëllim shkurtimin e kohës së përgjigjes ndaj qytetarëve duke u ardhur në ndihmë më shpejt.

“Më vjen mirë që sot kemi rritur standardin. Do të fillojmë tani me rehabilitimin e disa stacioneve të tjera që të jenë pak a shumë në të njëjtën gjendje”, tha Veliaj.

Ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe punën e kryebashkiakut Veliaj në kryeqytet.

“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë, midis shqiptarëve dhe turqve, janë shumë të mira. Dhe këto marrëdhënie na bëjnë që të kemi gjithmonë një bashkëpunim dhe një solidaritet sa më të mirë”, deklaroi ambasadori turk Murat Ahmet Yörük.

Më pas, kryebashkiaku Veliaj dhe përfaqësuesit e ambasadës turke dhe të TIKA-s në Tiranë morën pjesë në mbjelljen e 250 pemëve të reja përgjatë Unazës së Madhe.