Transmetuar më 12-03-2018, 21:19

Kush ka një garazh për makinën, nuk do paguajë taksën e pronës vetëm për shtëpinë, por edhe për sipërfaqen e parkimit. Nuk është pak, por sa 70% e taksës që paguan për apartamentin.

“Panorama” zbardh metodologjinë që do përdorë qeveria për llogaritjen e taksës së re. Në kryeqytet penalizohen fort bizneset.

Për ta, çmimi fiskal është sa dyfishimi i çmimit të një apartamenti. Ndërkohë që për qytetet e tjera çmimi i një biznesi, mbi të cilin llogaritet taksa e re, 1.5 herë më i lartë.

Krahas bizneseve, taksën e re të pronës do e paguajnë edhe fabrikat apo magazinat. Në këtë rast, taksa do të llogaritet mbi çmimin fiskal, i cili është sa gjysma e çmimit të apartamenteve në zonën ku ndodhet biznesi.

GARAZHET

Taksa për apartamentet është sa 0.05 për qind e çmimit fiskal, ndërsa për bizneset dhe garazhet e mbyllura, pra, ato që përgjithësisht janë poshtë pallateve, taksa është sa 0.2 për qind e çmimit fiskal.

Me një llogari të thjeshtë, një apartament në qendër, me një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë, do të duhet të paguajnë 6.600 lekë si taksë prone për shtëpinë, dhe 2772 lekë taksë prone për një garazh me sipërfaqe minimale prej 15 metrash katrorë.

“Panorama” boton llogaritjet për shtëpitë, bizneset dhe garazhet. Bashkë me pjesën e metodologjisë së qeverisë për çmimet mesatare të secilës kategori. Por nuk janë vetëm parkingjet nën pallate, por edhe ato të hapura që do të paguajnë taksë prone.

Në këtë rast, çmimi fiskal është sa 30 për qind e çmimit të apartamentit. Kjo bën që edhe taksa me afërsi të përgjysmohet në krahasim me ato të garazhit.

TIRANA, MË E SHTRENJTA

Kryeqyteti do të paguajë më shumë taksa për të gjitha kategoritë e pronave. Sipas metodologjisë, krahas bizneseve, pra dyqaneve, zyrave në lagje apo qendra tregtare, çmimi i të cilave llogaritet sa dyfishi i çmimit të apartamenteve, edhe shtëpitë e fshatit do paguajnë më shumë.

Qeveria llogarit se çmimi i një shtëpie në fshat do të jetë ulet deri në 35% të një shtëpie në zonën më të afërt të fshatit. Me përjashtim të kryeqytetit, ku çmimi i një shtëpie në fshatrat e Tiranës do të ulet jo më shumë se 30 për qind.

Pra, do të kushtojë më shtrenjtë dhe si rrjedhojë do të paguajë më shumë për taksën e re të pronës. Por jo vetëm shtëpitë, por edhe bizneset e fshatit do të jenë të përfshira në taksën e re. Qeveria do të llogarisë sa 30 për qind e çmimit të banesës në fshat çdo metër katror, që përdoret për bujqësi dhe blegtori.