Transmetuar më 12-03-2018, 17:33

Futbolli grek është vendosur sërish në qendër të vëmendjes pas trazirave të krijuara në ndeshjen mes PAOK-ut dhe AEK-ut, dy ekipet që rivalizojnë në garë për titull këtë vit, pas hegjemonisë shumëvjeçare të Olympiakosit.

Në ndeshjen e djeshme, presidenti I PAOK-ut të Selanikut hyri në fushë i armatosur duke kërcënuar arbitrin e ndeshjes pas anulimit të një goli në minutën e 89-të.

Ndeshja u ndërpre dhe lojtarët e AEK-ut nuk dolën në fushë pasi presidenti i ekipit kundërshtar u afrua edhe te dhomat e zhveshjes.

Pas këtij incidenti, qeveria ka vendosur pezulliin e kampionatit.

 “Kemi vendosur të pezullojmë kampionatin. Nuk do të lejojmë rinisjen e kampionatit për aq kohë sa nuk do të kemi miratuar një kuadër të ri ligjor, të konsultuar me të gjithë aktorët, përfshirë dhe UEFA-n”, deklaroi Giorgos Vasiliadis, zëvendësministri i Sporteve.

Presidenti i PAOK-ut, Ivan Savidis, një oligark rus 58-vjeçar me origjinë greke, u fut në fushë në minutën e 89-të, i shoqëruar nga truprojet e tij, duke kërcënuar arbitrin Georgios Kaminis./a.m./noa.al/