Transmetuar më 12-03-2018, 10:24

Pas një fundjave me temperatura mjaft të larta, mbi normalen e stinës, në vendin tonë rikthehen sërish reshjet e shiut.

Së bashku me shirat priten edhe përmbytje në qarqe të caktuara të vendit, ku sërish rrezik më të madh do të ketë Shkodra.

Instituti i Gjeoshkencave, Ujit dhe Mjedisit bën me dije se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta.

Sot në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të rriten prurjet në pjesët e larta malore duke përfshirë edhe kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin.

Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të ngelen të larta për shkak të rritjes së shkarkimit të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës në Lumin Buna por do të varen edhe nga shkarkimet e hidrocentraleve mbi lumi Drin. Për arsye të vazhdimit të rrezikut nga përmbytja është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës.

Në pjesën tjetër të territorit do të ketë shtim të prurjeve kryesisht përgjatë ditës së hënë.

Sot priten reshje në të gjithë territorin. Në qarkun Shkodër dhe Lezhë reshjet priten të jenë intesive dhe lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan mesatare deri lokalisht intesive, të shoqeruara edhe me shtrëngata.

Ndërsa temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 12 / 18 °C, në vendet e ulëta: 10 / 18 °C dhe në vendet malore: 6 / 16 °C.

Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe zonat e larta malore./m.sh/noa.al