Transmetuar më 12-03-2018, 07:28

Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka reaguar publikisht pas shkrimit të revistës amerikane “Mother Jones” mbi pagesën e lobimit në SHBA nga ana e Partisë Demokratike.

Në një intervistë për ‘Radio Shkodra’, Topalli ka kërkuar të deklarohet burimi i të ardhurave, ndërsa ka  pohuar se Basha ka shtuar konfuzionet dhe paqartësitë për këtë çështje.

“Të deklarohet burimi i të ardhurave për paratë që kanë kaluar në firma lobimi offshore. Nuk ka sqaruar asgjë. Basha ka shtuar konfuzionet dhe paqartësitë për kanalet në të cilat kanë kaluar paratë. PD nuk mund të mbajë kosto tjetër dhe akuza kur flasin për para në offshore. Një gjë është themelore, ai duhet të sqarojë, ai ia ka borxh PD-së të sqarojë. Ai ka lëvizur para, në atë kohë që kam qenë në grup parlamentar, në kryesinë e PD nuk ka pasur vendim për këtë gjë”, u shpreh Topalli.

Ajo shtoi se vendimet për lëvizjen e parave nuk janë marrë si vendime të forumeve të Partisë Demokratike dhe se janë vendime private të Bashës.

“Çfarë janë këto firmat offshore dhe pse nuk i koordinojnë shifrat, ndryshe i paraqet shifrat kompania Muzin dhe ndryshe thotë Lulzim Basha, vendos një pikëpyetje të madhe dhe dyshime të errëta. Të vendosësh mbi PD-në re kaq të zeza për para që s’ua dimë burimin. Është imediate, nuk ka pse t’i hedhë baltë tjetër PD-së, Lulzim Basha të dalë dhe të sqarojë”, tha Topalli.