Transmetuar më 11-03-2018, 18:17

Nga Spartak Ngjela

Kokaina e kapur në Maminas mund të ketë brenda bashkëpunimin e të tremburve të mëdhnj: Berisha, Meta dhe Rama.

Gjithçka do të varet nga trafikanti në arrati Arbër Çekaj.

Po dhe Donald Lu nuk doli kot dje dhe e përmblodhi te trafikanti Arbër Çekaj goditjen e madhe.

Po pse janë kaq të shkarë këta të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë: Frika t’i këtë katandisur deri në këtë pikë halli?

l.

Berisha, nga mënyra si po sillet për kokainën e Maminasit, kuptohet se është shumë i trembur, dhe po iu tregon ekspertëve të huaj se droga e zënë është e njerëzve të tij.

Pyetja është kjo: pse është gojëzënë Saliu për Arbër Çekajn, pronarin dhe tregtarin e makinës dhe të bananeve ku u gjetën 650 kg kokainë?

Pse thotë ambasadori amerikan që Arbër Çekaj, është peshk i madh?

Po të dimë të zbërthejmë këto pyetje, dalim te Sali Berisha dhe klani i tij.

Po si dalim te ky?

Po, si ka mundësi që Saliu dhe njerëzit e Saliut nuk flasin për tregtarin e madh të bananeve, Çekaj, por flasin për Ramën? Rama, pa Çekajn është e pamundur që ta bënte këtë trafik. Por dhe Çekaj vetëm me Ramën do t’i dukej i çalë trafiku prej 30 milionë Eurosh, prandaj ka dashur edhe mikun e tij Berisha. Arsyeja që e mbështet këtë logjikë është sasia e madhe e parave, e përdorur për blerjen e saj në Amerikën Latine.

Atëherë: Sigurisht që këta të dy diçka fshehin.

Tregtari na qënka tropojan i afërt i Berishës.

Po ku hyn Rama këtu?

Edhe Ramën e "tradhetoi" sjellja pas krimit të kapur. Fakti që ai tha se "këtë masë të madhe kokainë e kapi policia shqiptare vetë", në një kohë që dogana shqiptare kishte informacion nga agjensitë amerikane, tregon se ka dashur të tregojë që ai nuk ka lidhje me të, sepse, po të kish, nuk do ta kapte. Por në fakt, tregoi të kundërtën.

Në lidhje me Ramën ka edhe diçka tjetër që del nga sjellja e tij: pse dhe ky, njëlloj si Saliu, nuk flet për tregtarin e madh të bananeve që është kapur edhe një herë tjetër me parë me trafik kokainë, por është lëshuar nga prokurorët e Saliut? Atëherë, logjika të çon të arsyeja e më sipërme: me Arbër Çekajn, punojnë të dy klanet- edhe klani Berisha edhe klani Rama.

E pra, ç’kanë këta të metë që, duke folur për njëri-tjetrin, indirekt provojnë se janë të lidhur me kokainën? Ende nuk e kanë mësuar këta që sistemi i të provuarit të një krimi e ka arsye kryesore sjelljen e autorit të krimit pas kryerjes së krimit?

ll.

Të njëjtë gjë po bën edhe klani Meta. Nuk flet për Arbër Çekajn, por vetëm për Ramën. Kuptohet se edhe për këtë është i njëjti hall: e ka të implikuar edhe ky klanin e vet në këtë trafik dhe po kërkon të shpëtojë klanin e tij, se paratë sigurisht që i ka humbur.

Por befas doli edhe ambasadori amerikan, Donald Lu, që foli e tha se Arber Çekaj është një peshk i madh.

Po çne të jetë Çekaj një peshk i madh, kur ambasadori me këtë figurë para ca pak kohësh ka nënkuptuar të mëdhenjtë e politikës?

E pra, sigurisht që nënteksti është i qartë: me njeriun e madh të kokainës, të cilit Saliu, Rama dhe Meta, nuk ia përmendin fare emrin, kuptohet që janë lidhur klanet e të treve: i këtyre që dalin dhe nuk e përmendin.

Po fakte të tjetat bashkëpunimi a ka?

Me Ramën dhe Saliun njëherësh ka edhe tropojanë të tjerë që janë klientelë e dyfishtë; dhe punojnë e kanë punuar bashkë që nga viti 2003.

E pra; çfarë ndodh?

Fakti që Donald Lu dhe politika amerikane e do Arbër Çekajn në Shqipëri, patjetër që, në funksion të ish pushtetarëve dhe pushtetarëve të lartë, diçka e madhe po luan.

Të shohim kur Çekaj të vijë në Shqipëri.

Dhe mendoj që do të vijë shpejt, se këtë tha dje edhe Donald Lu direkt.

Por, këtu del edhe kjo pyetje:

Po ambasadori amerikan, pse u investua befas për një emër të panjohur si Arbër Çekaj?

Sigurisht, sepse ai kuptohet që ka të dhëna të sigurta operative të lidhjeve të korrupsionit të lartë shtetëror me trafikun e drogës..

Veçse, e gjithë kjo tablo na tregon dhe një diçka tjetër që është shumë e rëndësishme: që laku amerikan anti-korrupsion në Shqipëri po mblidhet dita-ditës për të qarkuar ligsht kapjen dhe likuidimin përfundimtar të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të lartë shtetëror.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al