Transmetuar më 11-03-2018, 11:39

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi disa familje të përjashtuara nga ndihma ekonomike në Lezhë.

Basha u njoh me shqetësimet e një kryefamiljareje, nënë e tre fëmijëve, që jeton në një dhomë me qera, në kushte të mjerueshme, pa ndihmë ekonomike, sepse vajza e madhe e saj kishte bërë praktikë dy muaj në një vend pune.

“Kemi ardhur për të thënë që jemi në krahun tënd e të fëmijëve të tu. E rëndë është situata, por vetëm nuk të lëmë”, u shpreh Basha përballë shqetësimeve të saj.

Ndërsa qytetarët u ankuan se më mirë të mbyten se të përballojnë situata të tilla, Basha u shpreh se kanë shkuar për të qarë hallin e tyre dhe për të ngritur zërin për ta.

“Se opozita vetëm fjalën ka. Do ta ngremë zërin për ju. Do të tregojmë të vërtetën tuaj jo gënjeshtrat që ju thotë Edi Rama. Do t’i themi se u ke hequr bukën njerëzve më të pamundur, më në nevojë dhe të luftojmë t’ju kthejmë ndihmën ekonomike”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se Qeveria nuk e ka bërë akoma transparencën e pikëve që ka nxjerrë jashtë skemës së ndihmës mbi 20 mijë familje të varfra.

Po ashtu shtoi se në datën 15 Mars opozita ka thirrur në interpelancë Kryeministrin Edi Rama.

Basha tha se nëse qeveria e tij do të reduktonte shpenzimet e luksit, ato do të mjaftonin për të paguar ndihmën ekonomike për 30 mijë familje. /a.y/noa.al