Transmetuar më 10-03-2018, 20:44

Nga Mero Baze

Qysh prej fillimit të skandalit me financimet e dyshimta të Lulzim Bashës në fushatën elektorale të vitit të shkuar, Lulzim Basha po përsërit sa herë pyetet, të njëjtën frazë: PD ka vepruar në rregull me ligjet shqiptare dhe amerikane.

Në fakt, PD formalisht është në shkelje të hapur të ligjeve shqiptare dhe atyre amerikane, por problemi është më i thellë se kaq. Përse Lulzim Basha thotë PD dhe nuk flet për veten e vet?

Në gjithë vendim-marrjen për të paguar lobistë amerikanë, për të paguar për fotografi me Trumpin, për të paguar për takime në Kongres, për takime me zyrtarë amerikanë, nuk ka ndonjë vendim-marrje politike apo protokollare të PD-së. PD nuk ka marrë kurë ndonjë vendim në forume partie, që Lulzim Basha të marrë 1 milionë dollarë e të shkojë t’i bëjë rrushë e kumbulla në Uashington.

Për të takuar kongresmenë apo zyrtarë amerikanë, nëse je një politikan pro-amerikan,  mjafton një biletë avioni, se takimet t’i rregullon Ambasada në Tiranë. Vetëm nëse ke një axhendë personale apo më keq akoma, siç po i del Bashës, dhe në shumë raste në kundërshtim me vijën zyrtare të Departamentit të Shtetit dhe Ambasadës amerikane, atëhere të duhen lobistë që të bësh sikur takon njerëz, për të gënjyer mbështësit e tu në Tiranë.

Pra, në gjithë vendimet që ka marrë Lulzim Basha për të prishur 1 milionë dollarë në SHBA, nuk ka ndonjë vendim të forumeve të partisë. Ka vetëm një vullnet okult të tij dhe kunatit të tij, që kanë marrë çantën me para të lejeve të ndërtimit dhe tenderave, dhe janë nisur të bëjnë Lulin udhëheqës në SHBA.

PD jo vetëm që nuk është njoftuar, por PD-së dhe i është mbajtur fshehur udhëtimi i Bashës drejt Uashingtonit. Ai ikte ilegalisht me gruan dhe Kunatin, në përpjekje për t’i bërë surprizë PD-së, por dhe nga frika se mos dikush nga të vjetrit në PD i prishte takimet.

Pra, ai nuk i ka bërë me vendime të PD-së ato takime, por i ka bërë për të mposhtur PD-në, për ta sunduar atë, për t’iu imponuar si i dërguar i zotit nga SHBA, dhe natyrisht për të ngritur moralin e rënë të saj, para dhe pas çadrës.

Tani që gjithë ai operacion i pistë financiar dështoi, dhe akoma më keq, përfundoi në duart e rusëve, Lulzim Basha bën sikur atë gjë e ka bërë PD, dhe ky është vëzhgues.

Deklarata e tij se, PD është në rregull me ligjin, është tipike akt i një lideri burracak, një mashtruesi që tani që e shikon se do përballet me ligjin, nxjerr përpara Ristanin si kokë turku, dhe e degëdis në Prokurori.

Do të ishte mirë që çdo drejtues i PD-së dhe çdo zyrtar i saj që thirret në Prokurori, të dëshmojë që nuk kanë marrë ndonjëherë  vendime politike për paratë e paguara për llogari të lobistit të Bashës, dhe nuk kanë dalë para nga arka e PD-së, siç dhe ka ndodhur realisht. Lulzim Basha le t’u dalë zot parave të tij të zeza dhe burimeve të zeza, që për faqe të zezë, disa dalin dhe ruse. Po së pari të heq dorë nga fjalia: “PD është në rregull me ligjin…”. Të lusë zotin që ligji do të tregohet i mëshirshëm me të, jo me PD. PD vërtet s’ka asnjë faj, se nuk e ka pyetur njeri. Si për çdo gjë tjetër!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al