Transmetuar më 09-03-2018, 17:08

Një futbollist 19-vjeçar francez është gjetur i vdekur në krevat në qendrën e grumbullimit të klubit Tours. Lajmi është dhënë nga klubi, që militon në ligën e dytë franceze.

Vdekja e të riut Thomas Rodriguez ka ndodhur në mesnatën mes të enjtes dhe të premtes, ndërsa nuk dihen ende shkaqet.

Futbollisti i ri është gjetur pa jetë nga shoku i tij i dhomës, që i alarmuar ka njoftuar punonjësit e sigurisë së qendrës stërvitore. 

Për ngjarjen është hapur edhe një hetim, ndërsa pritet autopsia për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Ndeshja që duhej të luante sot në mbrëmje Tours me Valenciennes është shtyrë, ndërsa nga federata është vendosur të mbahet një minutë heshtje në të gjitha ndeshjet e fundjavës.

Lajmi i kobshëm për vdekjen e të riut Rodriguez vjen vetëm 5 ditë pas vdekjes së kapitenit të Fiorentinës, Davide Astori.