Transmetuar më 09-03-2018, 16:32

Dhimbja është ulur këmbëkryq në familjen Preka ku para disa javësh babai bashkë me tre fëmijët e tij humbën jetën në një aksident tragjik në aksin rrugor Shkodër- Velipojë.

E vetmja e mbijetuar nga familja Preka si pasojë e aksidentit, është Evisa, e cila humbi të shoqin Edmond 40 vjeç, djalin Rajan vetëm 8 muajsh, dhe dy vajzat Ajsel 5 vjeçe dhe Noemi 10 vjeçe.

Pikërisht Noemi Preka shihej si mundësia e fundit e shpresës për familjen e dërrmuar nga fatkeqësia, por edhe ajo ndërroi jetë në spital, dy ditë pas të atit, motrës dhe vëllait.

Halla e 3 nipërve qe humbën jetën në aksidentin tragjik në Velipojë, së bashku me babanë e tyre, nuk rresht së postuari në profilin e saj në Facebook mesazhe dhe fjalë prekëse për mbesat e saj.

Ajo ka kujtuar sërish sot Noemin, vajzën e madhe të vëllait, e cila u nda nga jeta tragjikisht në aksident.

“Banka ku ulej Noemi 10-vjeçare është mbushur me lule dhe në mes qëndron fotoja e saj. “Na mungon shumë Noem”, ka shkruar ndër të tjera, halla.

Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, ku u përplasën një makinë tip ‘Alfa Romeo’ me targa AA474NJ me drejtues Edmond Preka 40 vjeç, me mjetin ‘Fuoristradë’ me targa AA 292 OL.

Por si pasojë e përplasjes gjeti vdekjen Edmond Preka, vajza e tij Ajsel 5 vjeçe, djali Rajan vetëm 8  muajsh dhe vajza 10 vjeçe, Noemi. /b.l/noa.al/