Transmetuar më 09-03-2018, 14:02

Policia Rrugore e Tiranës ka ndërmarrë një aksion, kundër shoferëve të autobusëve urbanë, të cilët drejtojnë mjetin në gjendje të dehur.

Nisur nga disa shqetësime të qytetarëve të denoncuara në numrin 112, se drejtues të linjave të transportit publik qytetas drejtojnë urbanët nën efektin e alkoolit apo nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, Policia Rrugore e Tiranës në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ushtruar kontrolle të befasishme.

Janë ngritur disa pika kontrolli në segmente të ndryshme, duke kontrolluar dhe testuar drejtuesit e autobusëve të transportit urban qytetas dhe transportit të specializuar për parashkollorët dhe nxënësit e shkollave.

Në funksion të këtij plani janë realizuar 142 teste me aparatin alkoolmatës “Drager” dhe vetëm një drejtues mjeti i linjës të transportit urban qytetas, përkatësisht i linjës Kombinat-Kinostudio i cili drejtonte një autobus artikular nën efektin e alkoolit, rezultoi në testin e parë 0.22 mg/l dhe në testin e dytë 0.23 mg/l.

Gjithashtu është monitoruar linja e transportit ish uzina e traktorëve-Institut Bujqësor me qëllim verifikimin e shqetësimeve e qytetarëve, në adresë të kësaj linje për vonesa gjatë itinerarit të saj ku u konstatuan dhe ndëshkuan dy drejtues autobusësh për drejtim të mjetit me shpejtësi të ngadalësuar duke u bërë pengesë për qarkullimin normal të mjeteve të tjera.

Policia Rrugore e Tiranës falënderon qytetarët që bashkëpunojnë me Policinë, si dhe apelon për denoncim të çdo shkelje rrugore, duke bërë të mundur parandalimin e aksidenteve, krijimin e lehtësirave për përdoruesit e rrugës si dhe rritjen e sigurisë së jetës në rrugë. /a.y/noa.al