Transmetuar më 07-03-2018, 17:57

Një ditë pas arrestimit të ish-pronarit të universitetit “Kristal”, ministria e Arsimit i është përgjigjur interesit të prokurorisë nëse ka regjistruar diploma në emër të këtij universiteti, pas vitit 2014.

Ministria sqaron se nuk ka regjistruar asnjë diplomë që pas mbylljes së institucionit, katër vite më parë.

“Ministria e Arsimit refuzon kategorikisht aludimet se ka regjistruar diploma të falsifikuara që i përkasin institucioneve që janë mbyllur, pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në vitin 2014.

Si rezultat i të cilit, u mbyllën 23 universitete, 22 privatë, 1 publik dhe 6 filiale.

Ju bëjmë me dije se nga 1 shatori 2014, asnjë nga këto universitete nuk ka pasur të drejtë të lëshojë asnjë diplomë ndaj studentëve.

Ministria e Arsimit kërkoi nga institucionet e mbyllura që të dorëzojnë të gjithë regjistrat që disponojnë me emrat e studentëve.

Universiteti “Kristal” nuk pranoi të dorëzojë regjistrat sipas kërkesës zyrtare”, thuhet në reagim.

Ministria sqaron se nga verifikimet, ka rezultuar se në të paktën 86 raste, ky universitet ka lëshuar diplomë të falsifikuar.

“Prej kohës së mbylljes së këtij universiteti, institucione dhe individë të ndryshëm kanë kërkuar të dinë nëse diplomat që kanë marrë nga ky universitet janë të vlefshme apo të falsifikuara.

Në ministri kanë mbërritur kërkesa për këtë verifikim, por në 86 raste të shqyrtuara pas kërkesave zyrtare, rezulton se asnjë prej tyre nuk është e vlefshme dhe nuk figuron në regjistrat që ministria disponon”, vijon më tej deklarata e shpërndarë për mediat.

Ndërkohë, një ditë më parë, u arrestua ish-pronari i universitetit, Ahmet Muça.

Ai akuzohet se shiste diploma të universitetit kundrejt vlerës që varionte rreth 2500 euro, ndërsa ra në kurthin e një bashkëpunëtoreje të prokurorisë dhe policisë.