Transmetuar më 06-03-2018, 14:11

Ish-pronari i Universitetit “Kristal”, Ahmet Muçaj, u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm për shkak se jepte diploma false, pavarësisht mbylljes së universitetit. Arrestimi i tij u bë në kushtet e flagrancës, në momentin që po i dorëzonte një vajze, një diplomë të nivelit të parë “Bachelor” në degën e Drejtësisë.

Në kuadër të hetimeve Drejtoria e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, arrestuan në flagrance shtetasin Ahmet Muçaj, ish-administrator i Universitetit “Kristal”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”.

Ai u kap në kushtet e flagrancës duke i dorëzuar një shtetaseje një diplomë të nivelit “Bachelor”, dega Drejtësi, kundrejt marrjes së një vlere monetare.

Mësohet se diplomat shiteshin prej tij për një vlerë që varionte rreth 2500 euro.

Muçaj i njohur si “Meti i Kristalit” u arrestua mëngjesin e sotëm, pasi po hetohej prej më se dy muajsh.

Sakaq një tjetër person me iniciale E.P., është shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i Muçës, për shitjen e diplomave.

Kujtojmë se mbyllja e “Kristal” u bë në vitin 2014, me urdhër të Kryeministrit Edi Rama.

Shitja e diplomave është bërë kohëve të fundit, ndërsa mbanin datën dhe vulën e periudhës kur Universiteti ishte ende hapur. /a.y/noa.al

Pse u arrestua “Meti i Kristalit”, çfarë zbuluan hetimet

Arrestohet ish-pronari i Universitetit “Kristal”, akuzat që rëndojnë ndaj tij