Transmetuar më 03-03-2018, 10:32

Ekspertë të sektorit mendojnë se ka ende zgjidhje për të ringritur industrinë e naftës. Llambi Gjoni, një inxhinier nafte me përvojë pune të gjatë në sektor, thotë se qeveria, në vend të privatizojë Albpetrol, duhet të shtetëzojë ARMO-n dhe të krijojë ciklin e mbyllur të prodhimit dhe përpunimit të naftës në vend

Tani që kompania e përpunimit të naftës ARMO ka mbyllur aktivitetin, duke mbartur në bilancet e saj rreth 720 milionë euro borxhe, ekspertët i bëjnë thirrje qeverisë që të nisë shtetëzimin dhe të pezullojë planet për shkrirjen e Albpetrol. Inxhinieri i naftës Llambi Gjoni thotë se rikthimi në menaxhim të shtetit të ARMO-s do të rrisë eficencën e dy kompanive. Albpetrol do t’i siguronte në mënyrë të vazhdueshme naftë rafinerisë dhe kjo e fundit, do të rriste eficencën e prodhimit njësoj si para vitit 2008 shruan Monitor.

Ministria e Financave analizon se rishtetëzimi i ARMO-s është një mundësi. Aktualisht, ligji për falimentin ndalon hapjen e procedurave të falimentit në sektorët strategjikë. E vetmja zgjidhje që mbetet është deklasifikimi i industrisë së përpunimit të naftës si sektor strategjik, por kjo duhet të bëhet me ligj të posaçëm të miratuar në Kuvend.

Nëse kjo do të mundësohet për të shmangur një pjesë të mirë të detyrimeve, shoqëria ARMO mund të hapë procedurat e falimentit. Duke parë se kreditë e shtetit (taksat dhe tatimet e papaguara kanë përparësi nga detyrimet e tjera, rekomandohet që organet tatimore të regjistrojnë barrë siguruese mbi asetet e ARMO-s, në mënyrë që të sigurojnë radhën e referimit, e cila në rast të falimentit, do t’i ndihmojnë të vjelin detyrimet e papaguara përpara kreditorëve të tjerë. Kjo do të ndihmonte që çmimi i blerjes së rafinerisë si aktiv të reduktohej në masën e detyrimit që shoqëria ka ndaj organeve fiskale. Rishtetëzimi i ARMO-s pritet të rrisë eficencën e të dy kompanive.

Inxhineri Fili: Gabimi me copëtimin e Albpetrol

Nga një inxhinierët me më përvojë të naftës në vend, ish drejtor i Albpetrol, në 2005-2007, Ilia Fili thotë se gabimi më i madh në industrinë e naftës ishte copëtimi i Albpetrolit në (Albpetrol dhe Armo) në 2007-n e pastaj privatizimi i ARMO-s (në 2008-n) dhe dorëzimi i vendburimeve të Albpetrolit me koncension me justifikimin se mungonte mundësia për investime të reja në teknologji si në ARMO ashtu dhe për Albpetrolin. Si investitorët e rinj të ARMO-s ashtu dhe kompanitë koncensionare, që shfrytëzojnë burimet e naftës, morën kredi nga bankat për zhvillimin e tyre, teksa specialistet ishin të njëjtët që drejtuan dhe zhvilluan sektorin qysh në krijimin e tij. Fili thotë se, Albpetroli i bashkuar do të ecte si simotrat e tij në Kroaci, Serbi e Itali, duke zotëruar krejt tregun shqiptar të karburanteve.

Konkurrenca me importin do të përballohej duke ofruar çmim më të ulët për shkak të kostos më të ulët të prodhimit. Në gjendjen aktuale Albpetrol ka ngelur si “kokoshi një thelë” duke zotëruar vetëm pjesërisht Kuçovën, Patosin dhe Ballshin dhe po tenton të rikthejë Gorishtin dhe Cakranin. Prodhimi aktual është mjaft i ulët, prodhim ky që nuk mund të mbulojë koston e ekzistencës së Albpetrolit si një i vetëm. Ai ekziston dhe funksionon tani vetëm në sajë të prodhimit paraekzistues, që japin kompanitë koncesionare.

Fili thotë se prodhimi i naftës është pasuri kombëtare dhe nuk është e drejtë që këtë pasuri kombëtare, qoftë edhe Albpetrol ta shfrytëzojë për të mbajtur në punë ndërmarrjet e tej fryra me punonjës për efekte politike sepse gjithë punonjësit kanë kaluar në filtër politik. “Që në vitin 2006, kur akoma nuk ishin dorëzuar vendburimet, i kërkova ministrisë fuqizimin e departamentit të marrëveshjeve hidrokarbure me specialistë të të gjitha fushave për monitorimin e aktivitetit të kompanive koncesionare, pasi gjithçka mbështetej mbi informacionet që dërgonin këto kompani”, pohon ai.

Investimet e raportuara prej tyre kanë qenë dhe janë të fryra duke bërë që asnjë kompani të mos raportojë fitim e si rrjedhojë shqiptar merr vetëm 10% (renta minerale) në vend të marrjes 50% të fitimit. “Kështu p.sh në marrëveshjen dhe programin e miratuar 25 vjeçare me Bankers, kompania duhet të raportonte fitim që në fund të 2009-ës. Ende sot nuk raporton”.

Ai rekomandon që departamenti i Albpetrol, me specialistë të përgatitur me eksperiencë dhe me një page të vlerësueshme të kalonte nën administrimin e AKBN Tirane dhe prodhimi para ekzistues të kalonte direkt buxhetit të shtetit. Në këto kushte Albpetrol do të detyrohej të mbante në punë ata punonjës që do ishin të nevojshëm mbi bazën e vet të prodhimit. Në gjendjen aktuale pasuritë ekzistuese janë me vlera shumë të ulëta dhe po u dorëzuan krejt vendburimet, kompania nuk duhet te ekzistojë më. “Vlen të theksoj se Albpetrol para se të shpërbëhej ishte i kompletuar me të gjitha njësitë funksionale”, përfundon inxhinier Fili./a.m./noa.al/