Transmetuar më 03-03-2018, 07:59

Nuk ia del t’iu mbijetojë plagëve të marra njëri nga dy të plagosurit në grabitjen e përgjakshme të ndodhur paraditen e së premtes, në një pikë këmbimi valutor në Fier.

Gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, 53-vjeçari Agur Vrenozi, i cili ndërhyri për të parandaluar grabitjen e pikës së këmbimit valutor të Gëzim Hoxhës.

Që nga dita e djeshme ai ndodhej në reanimacion, por plumbat e kallashnikovit rezultuan vdekjeprurëse për të.

Si të dyshuar për ngjarjen u arrestuan Zini Fyraj, 37 vjeç, banues në Sevaster, Vlorë; Lulëzim Demiraj 42 vjeç, banues në Vajzë, Vlorë dhe Dashamir Gergali, 41 vjeç, banues në Zhupan, Fier.

Arrestim i tyre u bë pasi rreth orës 10:55 të paradites së të premtes në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, Fier nën kërcënimin e armës kanë vjedhur një pikë këmbimi valutor.

Autorët e dyshuar kanë qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë janë plagosur pronari i exchange, Gëzim Hoxha, 64 vjeç dhe një tregtari që ndodhej aty pranë dhe ndërhyri për të parandaluar ngjarjen, Agur Vrenozi, 53 vjeç.

Polica u vu në ndjekje të autorëve të cilët janë larguar me mjetin tip “Benz” me targa AA 879 JG, dyshohen të jenë të falsifikuara.

Si rezultat i ndjekjes nga policia, autorët braktisën mjetin dhe u larguan me vrap në këmbë. Policia kapi njërin prej të dyshuarve, Zini Fyraj, i cili në përpjekje për t’i shpëtuar policisë u hodh në lumin pranë fshatit Baltëz.

Pas ndjekjes u kap autori i dytë i dyshuar, Lulëzim Demiraj në vendin e quajtur “Ura e Baltëzës” si edhe autori i tretë, Dashamir Gërgali në një banesë në fshatin Baltëz.

Policia ka sekuestruar çantën me paratë që u vodhën në exchange. Sakaq grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /a.y/noa.al