Transmetuar më 22-02-2018, 13:16

Ditën e djeshme u nda nga jeta edhe vajza e madhe e familjes Preka, Noemi e cila u përfshi në një aksident tragjik në aksin Shkodër- Velipojë, ku humbën jetën babai, motra dhe vëllai i saj.

Mes dhimbjes së madhe në familjen Preka nuk ka ngushëllim ku të gjithë vajtojnë për këto humbje, ndërsa sot 10 vjeçarja përcillët për në banesën e fundit. Në shenjë nderimi për vogëlushen, në kishën e Velipojës po mbahen homazhe për Noemin.

Tragjike janë fjalët e Dom Marjam Gegës, i cili tregoi se Evisa, gruaja që humbi të gjithë familjen nga ky aksident, burrin bashkë me tre fëmijët, kërkon fëmijët e saj teksa gjendet ende e shtruar në spital.

“Evisa kërkon fëmijët e saj. Të dashtunit e saj. Evisa ne jemi duke të rrejt sepse sdim si me ta tregu. Askush nga ne se merr guximin si me ta than. Jena tu të rrejt ashtu si kjo jetë është e rrejshme, jemi duke u tregu të padrejtë ashtu siç ne po tregohena të padrejtë me ty. Skam ma fjalë me të than Evisa.

Di të them se fëmijët dhe burri jot nuk janë ma këtu. Na as ti nuk i sheh por ata janë me ne. Fëmijët dhe bashkëshorti nuk duan që të mbytemi në lot e dëshpërimit por ata duan që ne të shpresojmë dhe të besojmë se ata janë në jetën e vërtetë e ndërsa ne në jetën e rrejshme", tha Dom Marjan Gega.

Mes të tjerash ai dha mesazhin e qartë ndërsa apeloi që prindërit të kenë kujdes kur udhëtojnë me maikinë bashkë me fëmijët e tyre.

"Kur udhëtoni vini rripin e sigurimit. Fëmijë thoni prindërve që të bëjnë kujdes. Vdekja vjen shpejt. Thojini shokëve e shoqeve tuaja që bëni kujdes kur dilni në rrugë. Bëni kujdes nga fuoristrada të mëdha të luksit, ata na shtypin si mizat ne", u shpreh ai.

Po ashtu Dom Marjan Gega lëshoi edhe akuza për rregullat e qarkullimit.

"Nuk jam mësu me hy në punët e kujt tjetër. Por polica pse nuk hoqët një patentë pa rrip sigurimi. Si nuk hiqet një patentë për alkool. Tan Shqipëria ash ba veç Tirana. Ne jena njerëz të kategorisë së dytë. Mjafton të na bëjnë një rrugë dhe e kanë kry. Skena frikë kërkënd ne pijmë kafe me policët", tha ai.

Vogëlushja 10 vjeçare Noemi po mbahej në jetë falë aparaturave në qytetin e Shkodrës, ndërsa ditën e djeshme nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve të shumta të marra dhe ka ndërruar jetë, duke e çuar në katër numrin e viktimave në familjen Preka.

Ndërsa gjatë ditës së martë u përcollën për në banesën e fundit edhe tre anëtarët e tjerë të kësaj familje, babai, Edmond Preka, si dhe dy fëmijët e tij, djali në moshën 8 muajsh dhe vajza tjetër, 5-vjeçe. E vetmja që mundi t’i mbijetonte aksidentit fatal ishte Evisa Preka, bashkëshortja e Edmondit dhe nëna e tre fëmijëve.

Evisa ndodhet ende në spital, por nuk është në dijeni të tragjedisë që i ka ndodhur. Ajo nuk ka qenë e pranishme në varrimin e tre njerëzve më të dashur të jetës, dhe nuk do të jetë as në përcjelljen e Noemit./b.l/noa.al/